
Gjatë kongresit federal të partisë, i shoqëruar nga protesta masive, partiaAlternativa për Gjermaninë (AfD),e cila në disa rajone klasifikohet si ekstremiste e djathtë, formuloi qartë ambiciet e saj për pushtet.
“Ne jemi partia e re popullore në Gjermani”, deklaroi kryetarja e partisë, Alice Weidel, në fjalimin e saj para delegatëve në qendrën e panairit në Erfurt. Sipas saj, AfD-ja është “e gatshme të marrë përgjegjësi”.
Weidel akuzoi partitë e tjera se po e izolojnë AfD-në “me urrejtje dhe shpifje”. Ajo iu drejtua kundërshtarëve politikë me mesazhin: “Nuk do të arrini të na dobësoni; përkundrazi, ne po bëhemi gjithnjë e më të fortë dhe më të mëdhenj.”

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe bashkëkryetari Tino Chrupalla. “Ne do të fitojmë”, tha ai para delegatëve. Duke iu referuar zgjedhjeve rajonale që po afrohen, ai shtoi: “Ndoshta së shpejti do të mund të qeverisim edhe vetëm.”
Weidel dhe Chrupalla konfirmohen në detyrë
Në shtator do të zhvillohen zgjedhje për parlamentet rajonale në Saksoni-Anhalt, Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore dhe në Berlin.
Sipas sondazheve të fundit, AfD-ja mund të sigurojë shumicën absolute të vendeve në parlamentin e Saksoni-Anhaltit dhe, me kandidatin kryesor Ulrich Siegmund, të ketë kryeministrin e ardhshëm të landit. Edhe në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, sondazhet e vendosin partinë në vendin e parë me rreth 35 për qind të votave. Edhe në nivel federal, ajo është aktualisht forca më e madhe politike sipas sondazheve.
Të shtunën pasdite (04.07.2026), delegatët i konfirmuan Weidelin dhe Chrupallën në postet e tyre drejtuese. Weidel mori mbi 81 për qind të votave, ndërsa Chrupalla rreth 70 për qind.
Protesta masive në Erfurt
Kongresi në kryeqytetin e landit të Turingjisë u shoqërua nga aksione proteste. Policia vlerësoi numrin e pjesëmarrësve në rreth 31.000 gjatë pasdites.
Shumë kundërshtarë të AfD-së bllokuan rrugët hyrëse drejt qendrës së panairit në Erfurt, duke u ulur në rrugë dhe autostrada.

Delegatët shmangën bllokadat
Megjithatë, kongresi i AfD-së filloi në orarin e planifikuar. Për të shmangur bllokimet nga protestuesit, qindra delegatë u transportuan me autobusë në orët e para të mëngjesit drejt vendit të zhvillimit të kongresit.
Sipas delegatëve, ata u mblodhën që para orës 4:00 në pika takimi jashtë qytetit. Kryetari i AfD-së, Chrupalla, e komentoi situatën me ironi: “Zogu që zgjohet herët kap krimbin. Ngatërrestarët e Antifa-së e kanë humbur nga gjumi aksionin e tyre të pengimit.”
Nga ana tjetër, kundërshtarët e AfD-së i konsideruan protestat një sukses. Deputeti i Partisë së Majtë në Bundestag, Luke Hoß, foli për një “sukses të madh”, edhe pse synimi i aleancës “Widersetzen” për ta ndalur plotësisht kongresin nuk u arrit.
“Nuk mund të flitet për dështim”, deklaroi Hoß për agjencinë AFP. Ai tha se shoqëria civile ishte mobilizuar fuqishëm dhe kishte treguar se “i vë fre një partie fashiste”.
Zëdhënësi i aleancës “Widersetzen”, Suraj Mailitafi, deklaroi: “Ndalimin e AfD-së po e zbatojmë sot në rrugë. Erfurti po bëhet sot kryeqyteti antifashist. AfD-ja është barrikaduar në sallat e panairit, ndërsa ne po e bllokojmë nga të gjitha anët.”
Vetëm incidente të izoluara
Përplasje të dhunshme nga grupet ekstremiste të majta, për të cilat druheshin paraprakisht autoritetet, nuk pati. Policia raportoi vetëm për disa “përplasje të izoluara”, gjatë të cilave forcat e rendit përdorën edhe sprej me piper.
Kongresi përfundon të dielën (05.07.2026). Edhe dita e dytë do t’i kushtohet kryesisht çështjeve të personelit në parti. Në rend dite janë gjithashtu fjalimet përmbyllëse të drejtuesve të partisë.
gri/se (afp, rtr, dpa)



