LajmeMaqedoni

Tetovë: 5 persona në paraburgim, 28 lëndë penale për dhunë në familje! Gjykatat nuk do të ndalin ndjekjen edhe nëse tërhiqet viktima

Pesë vendime paraburgimi të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake janë dëshmia më e pastër se dhuna brenda mureve të shtëpisë në Tetovë ka prekur pragun e alarmit.  Sektori Penal i Gjykatës së Tetovës është mbuluar nga lëndët: plot 28 raste penale për dhunë në familje janë regjistruar vetëm këtë vit. Prej tyre, 16 kanë marrë epilog, por 12 të tjera janë ende në procedurë aktive, duke mbajtur pezull fatin e viktimave.

GJYKATA E TETOVËS:

“Gjatë vitit 2026, në Gjykatën Themelore të Tetovës, në kuadër të Sektorit Civil, janë regjistruar gjithsej 7 lëndë. Prej tyre, 4 lëndë janë të përfunduara, ndërsa 3 lëndë janë ende në procedurë. Për sa i përket lëndëve penale të lidhura me dhunë në familje, gjatë vitit 2026 janë regjistruar gjithsej 28 lëndë. Prej tyre, 16 janë përfunduar, ndërsa 12 janë në procedurë. Gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar masën e paraburgimit në 5 lëndë.”

Nga shoqata “Corteks” thonë se ky fluks raportimesh nuk do të thotë se dhuna është rritur, por se viktimat tashmë kanë më shumë guxim dhe besim te institucionet. Sema Halili vlerëson se ndryshimet ligjore që parandalojnë mbylljen e rasteve, madje edhe kur deklaratat tërhiqen, po e thyejnë përfundimisht heshtjen.

 “Fokusi ynë nuk duhet të jetë vetëm te numri i rasteve të raportuara, por edhe te parandalimi i dhunës, mbrojtja e viktimave, ndëshkimi i autorëve dhe krijimi i një mjedisi ku çdo person ndihet i sigurt për të kërkuar ndihmë dhe për ta raportuar dhunën. Sot, viktimat e dhunës po e kuptojnë gjithnjë e më shumë se dhuna – qoftë fizike, psikologjike, seksuale apo ekonomike – nuk është diçka që duhet toleruar. Ato po ndihen më të fuqizuara për të folur dhe për t’iu drejtuar shërbimeve mbështetëse. Çdo rast i raportuar është një hap drejt mbrojtjes së viktimës dhe parandalimit të dhunës. Prandaj, është thelbësore të vazhdohet me edukimin, ndërgjegjësimin dhe ofrimin e mbështetjes profesionale, në mënyrë që askush të mos mbetet i vetëm përballë dhunës”, theksoi Sema Halili – shoqata CORTEKS.

Goditja më e madhe ndaj dhunuesve u dha në praktikën penale. Derisa dikur shumë raste dështonin sepse viktimat tërhiqnin dëshmitë nga frika apo presioni, sot ligji e ka ndryshuar lojën. Edhe nëse viktima e tërheq deklaratën, organet e drejtësisë kanë të drejtë dhe detyrim ta vazhdojnë ndjekjen penale nëse ekzistojnë prova të mjaftueshme. Janë pikërisht këto ndryshime, të shoqëruara me reagimin e prerë të prokurorisë dhe gjykatës pas rasteve tragjike dhe femicideve të fundit në vend, që i kanë bindur viktimat në Tetovë se autorët do të mbajnë përgjegjësi deri në fund.

Related Articles

Back to top button
Close
Close