KurioziteteLajme

Të pasur, por pa trashëgimtarë: Rastet kur pasuria kalon te shteti

Një rast i fundit në Itali ka rikthyer vëmendjen te fenomeni i trashëgimive pa trashëgimtarë, një dukuri që pritet të bëhet gjithnjë e më e zakonshme për shkak të plakjes së popullsisë, uljes së lindshmërisë dhe rritjes së numrit të personave që jetojnë vetëm. Një qytetar italian, i ndarë nga jeta në vitin 2009 pa lënë fëmijë, bashkëshorte apo të afërm të njohur, ka lënë pas një pasuri të konsiderueshme, kryesisht të përbërë nga prona të paluajtshme.

Për vite me radhë askush nuk u paraqit për të kërkuar trashëgiminë dhe nuk u identifikua asnjë trashëgimtar ligjor. Pas përfundimit të verifikimeve ligjore dhe skadimit të afateve për pranimin e trashëgimisë, gjykata e Modenës e shpalli pasurinë si “trashëgimi vakante”, duke bërë që shtëpitë dhe asetet e tjera të kalonin në pronësi të shtetit, sipas parashikimeve të Kodit Civil italian.

Ekspertët vlerësojnë se në Itali pasuritë që mund të mbeten pa trashëgimtarë arrijnë aktualisht vlerën e rreth 8 miliardë eurove. Ky numër pritet të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme për shkak të ndryshimeve demografike dhe sociale.

Trashëgimia vakante është një proces trashëgimie ku nuk ekzistojnë trashëgimtarë ligjorë apo të përcaktuar me testament. Kjo ndodh kur një person ndërron jetë pa lënë testament dhe pa pasur të afërm që kanë të drejtë ligjore mbi pasurinë, ose kur personat që mund të trashëgojnë refuzojnë ose nuk e ushtrojnë të drejtën e tyre brenda afateve të përcaktuara nga ligji.

Në këto raste, pasuria nuk mund të mbetet pa pronar dhe legjislacioni parashikon procedura të veçanta për administrimin dhe transferimin e saj. Dallimi mes trashëgimisë vakante dhe asaj të pezulluar lidhet me faktin se kjo e fundit është një gjendje e përkohshme, kur ekzistojnë trashëgimtarë të mundshëm, por askush nuk e ka pranuar ende trashëgiminë.

Në këtë fazë, gjykata mund të emërojë një administrator që kujdeset për pasurinë derisa të paraqitet një trashëgimtar. Ndërsa trashëgimia bëhet e vakantë kur vërtetohet përfundimisht se nuk ka trashëgimtarë ose kur afati ligjor për pranimin e trashëgimisë ka skaduar. Në atë moment, pasuria kalon në pronësi të shtetit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close