
Lidhur me deklaratat e paraqitura në konferencën për media nga këshilltarët komunalë të opozitës, Komuna e Çairit vlerëson se opinioni duhet të informohet me fakte dhe jo me pretendime që nuk pasqyrojnë gjendjen reale.
Pretendimi se Komuna duhet të formojë komision për evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve është i pabazuar, pasi Komisioni për vlerësimin dhe përcaktimin e lartësisë së dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera është formuar me vendim të Këshillit të Komunës së Çairit që në muajin maj, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kjo dëshmon qartë se Komuna nuk pret të ndodhin fatkeqësi për të reaguar, por ndërton mekanizma institucionalë paraprakisht, në funksion të gatishmërisë dhe reagimit të shpejtë.
Menjëherë pas reshjeve të dendura, ekipet e Komunës së Çairit, Shtabi i Krizave, ndërmarrjet publike dhe institucionet kompetente dolën në terren dhe ndërhynë në të gjitha lokacionet ku u paraqit nevoja. Paralelisht, ka nisur evidentimi i dëmeve të paraqitura, ndërsa Komisioni do të vazhdojë procedurat e vlerësimit dhe përpunimit të tyre në përputhje me metodologjinë dhe afatet e përcaktuara me ligj. Nga kjo rezulton se këshilltarët e opozitës kërkojnë të bëhet diçka që është bërë që në muajin maj të këtij viti. Komisioni është formuar me vendim të Këshillit të Komunës, që do të thotë se të gjithë këshilltarët, përfshirë edhe ata të opozitës, kanë qenë në dijeni se ky trup është formuar.
Komuna e Çairit mbetet e përkushtuar që çdo rast i paraqitur nga qytetarët të trajtohet me seriozitet, profesionalizëm dhe transparencë, ndërsa kompensimi i dëmeve do të zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe kompetencat institucionale.
Në situata që prekin drejtpërdrejt interesin e qytetarëve, konsiderojmë se është përgjegjësi e secilit subjekt politik të kontribuojë me informim të saktë dhe konstruktiv, duke shmangur krijimin e perceptimeve të pasakta për procese që tashmë janë në zhvillim. Komuna e Çairit do të vazhdojë të veprojë me përgjegjësi, transparencë dhe në interes të qytetarëve.



