WhatsApp revolucionarizon privatësinë, vjen funksioni pa numër telefoni

WhatsApp ka njoftuar një funksion të ri që do t’u mundësojë përdoruesve të komunikojnë me kontakte të reja pa qenë e nevojshme të ndajnë numrin e tyre të telefonit. Kompania ka bërë të ditur se rezervimi i emrave të përdoruesit (username) ka nisur këtë javë, ndërsa funksioni do të shpërndahet gradualisht për të gjithë përdoruesit gjatë vitit 2026.
Sipas kompanisë, kjo risi synon të rrisë nivelin e privatësisë dhe sigurisë, duke u dhënë përdoruesve mundësinë të lidhen me persona të rinj vetëm përmes një emri përdoruesi, pa ekspozuar numrin e tyre personal.
“Kur një person i ri hyn në jetën tuaj, qoftë një shok klase, një fqinj apo dikush që takoni në një aktivitet, ndarja e numrit të telefonit mund të duket si një hap i madh. Ndonjëherë thjesht dëshironi të bisedoni pa dhënë numrin tuaj”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Funksioni i ri do të jetë i dobishëm edhe në bisedat në grup, ku përdoruesit do të kenë mundësinë të marrin pjesë pa e bërë të dukshëm numrin e tyre të telefonit për të gjithë pjesëmarrësit. Ky ndryshim pritet të ofrojë më shumë kontroll mbi privatësinë dhe të lehtësojë komunikimin me persona të rinj në situata të ndryshme.



