
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë që mjetet nga Fondi i Reformave për Ballkanin Perëndimor të riorientohen drejt vendeve që kanë arritur progresin më të madh në zbatimin e reformave.
Sali vlerësoi se fakti që Maqedonia e Veriut, së bashku me Shqipërinë dhe Malin e Zi, njihet si një nga vendet udhëheqëse në procesin e reformave, është dëshmi e përkushtimit të institucioneve ndaj agjendës evropiane.
“Fakti që Maqedonia e Veriut, së bashku me Malin e Zi dhe Shqipërinë, njihet si një nga vendet udhëheqëse në procesin e reformave është një vlerësim i rëndësishëm për punën e deritanishme dhe përkushtimin tonë ndaj agjendës evropiane”, ka theksuar Sali.
Ai shtoi se kjo përbën një nxitje të re për të vazhduar me ritëm edhe më të madh zbatimin e reformave, pasi rezultatet konkrete do të reflektohen drejtpërdrejt në përfitimet për qytetarët.
“Kjo është një shtysë shtesë për të vazhduar me intensitet edhe më të madh zbatimin e reformave, pasi çdo hap i realizuar me sukses nënkupton më shumë fonde evropiane, më shumë investime dhe përfitime konkrete për qytetarët. Mbetemi të përkushtuar fuqishëm ndaj reformave dhe objektivit tonë strategjik – anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Sali.
Sipas tij, mundësia që Bashkimi Evropian të riorientojë fondet drejt vendeve që realizojnë rezultatet më të mira në reforma paraqet një motiv shtesë për të përshpejtuar proceset reformuese dhe për të avancuar më tej rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut.



