LajmeMaqedoniTopLajm

LSDM përsëri me ndarje, ish funksionarë partiak promovuan Lëvizje të re politike

Rreth njëzet ish-funksionarë dhe një funksionare aktuale e LSDM-së të mërkurën promovuan një lëvizje të re, një alternativë brenda hapësirës socialdemokrate, e cila sipas tyre synon të riafirmojë idenë socialdemokrate, pasi vlerësojnë se ajo nuk po artikulohet siç duhet nga LSDM-ja nën drejtimin e liderit aktual, Venko Filipçe.

Në takim morën pjesë figura të njohura të dikurshme të LSDM-së, si ish-nënkryetari Igor Ivanovski, i cili udhëheq grupin, ish-sekretari i përgjithshëm Nikolla Qurkçiev, Emilijan Stankoviq, ish-nënkryetarët Andrej Petrov dhe Gordan Georgiev.

Nga funksionarët aktualë ishte e pranishme deputetja Sllavjanka Petrovska, e cila garoi për postin e kryetares së LSDM-së përballë Venko Filipçes, si edhe kryetarja e Partisë Liberal-Demokrate dhe deputetja Monika Zajkova.

Në tubimin e titulluar “Biseda për të Ardhmen”, morën pjesë edhe avokati Zvonko Davidoviq dhe politologu Nenad Markoviq.

Pjesëmarrësit theksuan se hapësira opozitare nuk plotësohet me parti të reja, por me një revolucion ideologjik dhe vlerash.

“Maqedonia ka nevojë për një kontratë të re shoqërore si bazë për krijimin e një potenciali të gjerë opozitar për ndryshim. Publiku demokratik progresist ka nevojë për debat të mirëfilltë dhe objektiv, i cili për të arritur qëllimin duhet të jetë i çliruar nga nevoja e zakonshme për t’u pëlqyer autoriteteve partiake”, thuhet në komunikatën e tyre.

Related Articles

Back to top button
Close
Close