
Komandanti i Stacionit Policor në Gostivar, Adil Ademi, tha se policia është e gatshme për ardhjen e mërgimtarëve dhe se do të shtojë praninë në terren për të parandaluar kaosin në komunikacion/
Në prag të kthimit të mërgimtarëve në vendlindje, qyteti i Gostivarit pritet të përballet me një rritje të ndjeshme të qarkullimit të automjeteve dhe numrit të qytetarëve. Kjo situatë ka rikthyer në fokus sfidat e menaxhimit të trafikut dhe sigurisë publike, të cilat u diskutuan edhe në mbledhjen e Këshillit Lokal për Preventivë në Komunën e Gostivarit.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, tha se institucioni që ai drejton u ka bërë apel shkollave që të hapin oborret e tyre për t’i shfrytëzuar si parkingje falas për mërgimtarët dhe qytetarët. Ai u bëri thirrje qytetarëve që gjatë kësaj periudhe të shmangin përdorimin e automjeteve personale, përveç rasteve kur është e domosdoshme.
“Siç e dimë, gjatë muajit korrik rritet fluksi i automjeteve dhe i njerëzve, ndërsa me këtë rriten edhe problemet në komunikacion dhe fusha të tjera, për shkak të shtimit të numrit të banorëve në këtë periudhë. Ashtu si çdo vit, edhe këtë verë të gjitha shkollat do të jenë të hapura për parkim falas. Gjithashtu do të shfrytëzohen edhe hapësirat e tjera publike ku ekziston mundësia për parkim, jo vetëm për mërgimtarët, por për të gjithë qytetarët. Aktualisht kemi në dispozicion një automjet merimangë të Ndërmarrjes Publike ‘Parqet dhe Gjelbërimi’, i cili punon në koordinim me stacionin policor. Pa dyshim se do të kemi sfida gjatë muajve të verës, siç kemi pasur edhe në vitet e kaluara, por me bashkëpunim besoj se do t’ia dalim edhe këtë verë”, deklaroi Limani.
Komandanti i Stacionit Policor në Gostivar, Adil Ademi, tha se policia është e gatshme për ardhjen e mërgimtarëve dhe se do të shtojë praninë në terren për të parandaluar kaosin në komunikacion.
“Sa i përket sezonit veror, duke pasur parasysh se pritet rritje e konsiderueshme e numrit të automjeteve dhe qytetarëve për shkak të ardhjes së mërgimtarëve, ne si Ministri e Punëve të Brendshme kemi përgatitur planin operativ që zbatohet çdo verë në bashkëpunim me stacionet policore që janë në juridiksionin e Gostivarit. Janë paraparë mbi nëntë pika ku policët do të jenë të pranishëm 24 orë në ditë, me qëllim që të mos krijohen bllokime në komunikacion dhe të ruhet rendi dhe qetësia publike. Plani veror është përmbyllur dhe jemi të gatshëm si me automjete, ashtu edhe me burime njerëzore. Kemi disa mungesa në personel, prandaj kemi kërkuar mbështetje shtesë nga Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup”, tha Ademi.
I pyetur për masat që do të ndërmerren në pikën problematike në fshatin Zdunjë, ku gjatë verës krijohen kolona të gjata automjetesh, Ademi bëri të ditur se është hartuar një plan i veçantë për menaxhimin e trafikut. “Sa i përket udhëkryqit në Zdunjë, këtë vit kemi përgatitur një plan të veçantë, i cili do të zbatohet gjatë fundjavave. Komunikacioni do të rregullohet nga policët dhe jo nga semaforët, pasi semaforët krijojnë kolona të gjata, duke pasur parasysh kapacitetin e kufizuar të rrugës. Qëllimi ynë është të gjejmë një zgjidhje që të mos krijojë pakënaqësi as te banorët e Zdunjës dhe as te drejtuesit e automjeteve që kalojnë në këtë aks rrugor”, deklaroi Ademi.
Nga policia u bë e ditur gjithashtu se janë marrë të gjitha masat për sigurimin e aktiviteteve dhe manifestimeve verore që do të organizohen në Gostivar, me qëllim që të rinjtë dhe qytetarët të argëtohen në kushte të sigurta dhe pa incidente.



