LajmeTeknologji

WhatsApp prezanton emrat e përdoruesve, kontaktet nuk do ta shohin më numrin e telefonit

WhatsApp do t’u lejojë përdoruesve të komunikojnë përmes emrave të përdoruesve (username), pa qenë e nevojshme të ndajnë numrin e telefonit, në një hap të ri për rritjen e privatësisë.

Shërbimi i mesazheve, në pronësi të kompanisë Meta, njoftoi të hënën se përdoruesit mund të nisin rezervimin e emrit të tyre të përdoruesit gjatë kësaj jave, ndërsa funksioni do të shpërndahet gradualisht gjatë muajve në vijim.

“Emrat e përdoruesve janë hapi ynë më i fundit për ta bërë WhatsApp edhe më privat. Nuk do të ketë një direktori për kërkim apo sugjerime – njerëzit do të duhet të dinë saktësisht emrin tuaj të përdoruesit për t’ju kontaktuar për herë të parë”, thuhet në njoftimin e WhatsApp.

Platforma shton se, pasi funksioni të jetë aktiv, personat ose bizneset që ju kontaktojnë për herë të parë nuk do ta shohin numrin tuaj të telefonit, nëse keni zgjedhur të përdorni një username.

WhatsApp bëri të ditur se përdoruesit do të njoftohen sapo funksioni të jetë i disponueshëm në vendin e tyre.

Për të rezervuar një username, përdoruesit duhet të kenë të instaluar versionin më të fundit të aplikacionit, më pas të hyjnë te Settings, Account dhe Username.

Aplikacioni, i cili numëron mbi 3 miliardë përdorues në mbarë botën, rekomandon zgjedhjen e një emri unik që ta dinë vetëm personat me të cilët dëshironi të komunikoni. Gjithashtu, do të ofrohet edhe një gjenerues emrash për të ndihmuar përdoruesit të zgjedhin një username.

Krijuesit e përmbajtjes, bizneset e vogla dhe organizatat do të kenë gjithashtu mundësinë të përdorin në WhatsApp të njëjtin emër që kanë në Instagram ose Facebook, për të ruajtur identitetin e tyre në platformat e Meta-s.

Related Articles

Back to top button
Close
Close