Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka pritur sot sportisten Rudina Aliu, e cila ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror Universitar të Karatesë, të mbajtur në Brazil.
Mexhiti vlerësoi suksesin e saj si një arritje të rëndësishme jo vetëm personale, por edhe për komunën e Çairit dhe për sportin shqiptar në përgjithësi.
“Nga Brazili, me medalje. Në Çair, me krenari. Çairi vazhdon të nxjerrë kampionë. Rudina është një nga ata. Çdo sukses i sportistëve tanë është fitore për të gjithë ne,” u shpreh Mexhiti gjatë pritjes.
Ai theksoi se çdo rezultat i sportistëve përfaqëson denjësisht komunitetin në arenën ndërkombëtare, duke shtuar se komuna do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë dhe sportin.
“Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë sportistëve tanë, sepse investimi te të rinjtë është investim në krenarinë e së nesërmes,” tha ai.
Rudina Aliu u shpërblye me mirënjohje për suksesin e saj, ndërsa u vlerësua si një nga talentet që po e vendosin Çairin në hartën ndërkombëtare të karatesë.



