LajmeRajon

Çfarë e shtrenjtoi jetën në Kosovë?

Raporti i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për vitin 2025 tregon një përshpejtim të ndjeshëm të rritjes së çmimeve në pothuajse të gjitha kategoritë e produkteve, me theks të veçantë te ushqimet, të cilat kanë mbetur shtytësi kryesor i inflacionit në vend. Sipas BQK-së, përshpejtimi i inflacionit u nxit kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimit dhe pijeve joalkoolike, të cilat shënuan një rritje mesatare prej 7.6 për qind. “Çmimet e ushqimit dhe pijeve joalkoolike ishin kontribuuesi kryesor në inflacionin e vitit 2025, me 2.5 pikë përqindjeje (0.8 p.p. në vitin paraprak). Rritje e përshpejtuar u evidentua pothuajse në të gjitha kategoritë e ushqimit, përveç peshkut dhe produkteve të bulmetit, ku rritja ishte më e moderuar”.

Rritja më e madhe vjetore e çmimeve është regjistruar te frutat dhe mishi. “Rritja më e lartë vjetore u evidentua te çmimet e frutave (11.5 për qind) dhe mishit (11.0 për qind), ndërsa te pijet joalkoolike, çmimet e kafesë shënuan rritje vjetore prej 15.2 për qind. Zhvillimet në tregun vendor të ushqimit pasqyruan si luhatjet në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht për çmimet e mishit dhe kafesë, ashtu edhe rritjen e presioneve të brendshme inflacioniste”, thuhet në raportin e BQK-së. Po ashtu, kostoja e inputeve bujqësore u rrit me 1.7 për qind, ndërsa çmimet e prodhimeve bujqësore shënuan rritje prej 5.3 për qind gjatë vitit 2025.

Raporti potencoi se presione shtesë inflacioniste u gjeneruan edhe nga rritja e çmimeve të energjisë elektrike dhe shërbimeve, si dhe nga rënia më e ngadalshme e çmimeve të naftës krahasuar me vitin paraprak. Në raportin e BQK-së thuhet se paga mesatare bruto në Kosovë gjatë vitit 2024 arriti në 639 euro, krahasuar me 570 euro sa ishte një vit më parë. Në sektorin publik, paga mesatare bruto ishte 775 euro, ndërsa në sektorin privat 598 euro. Sektorët me pagat mesatare më të larta ishin furnizimi me energji elektrike, gaz, avull dhe ajër të kondicionuar, me mbi 1 mijë e 100 euro, si dhe sektori i informimit dhe komunikimit, me afro 1 mijë e 100 euro.

Në anën tjetër, paga mesatare më e ulët u regjistrua në sektorin e akomodimit dhe aktiviteteve të shërbimit me ushqim, me 389 euro. Ndërkohë, norma e papunësisë në Kosovë vazhdon të mbetet 6.3 për qind. Ky institucion vlerëson se kjo shifër paraqet përmirësim krahasuar me vitet paraprake.

Related Articles

Back to top button
Close
Close