
Në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Administratës Publike, ministri i Administratës Publike i Maqedonisë së Veriut Goran Minçev zhvilloi një takim bilateral me ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë Snežana Paunoviq informon Tetovasot.
Në takim u konfirmua interesi i përbashkët për thellimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në fusha me interes të ndërsjellë, me theks të veçantë në zhvillimin profesional të nëpunësve administrativë.
Ministri Minçev theksoi se Grupi i përbashkët i punës, i formuar në kuadër të Memorandumit të bashkëpunimit, po shënon progres të dukshëm në disa fusha.
“Sukseset e arritura deri tani përbëjnë një bazë të fortë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit”, u shpreh Minçev.
Në fokus të diskutimeve ishte përmirësimi i sistemit të trajnimeve, digjitalizimi i proceseve të mësimit, si dhe zhvillimi i moduleve elektronike dhe sistemeve LMS për administratën publike.
U theksua gjithashtu rëndësia e Akademisë Kombëtare për Administratën Publike të Serbisë si një shembull rajonal për zhvillim të qëndrueshëm profesional të shërbyesve publikë.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të shërbimeve publike në të dy vendet.TS








