LajmeMaqedoniTopLajm

Katër herë Tetova dhe tri herë Qeveria nuk i ishin përgjigjur Gjykatës! Ky është arsyetimi zyrtar për shfuqizimin e emrave shqip

Më 17.06.2026, Gjykata Kushtetuese e shfuqizoi Vendimin për ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, nr. 07-766/4, të datës 24.04.2007. Kështu e nis njoftimin zyrtar sot Gjykata Kushtetuese, ndërsa thotë se në katër raste, kjo Gjykatë kërkoi nga Komuna e Tetovës që të dorëzojë të gjithë dokumentacionin që i kishte paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar, shkruan gazeta KOHA.

“Gjatë procedurës, për shkak të mosdorëzimit të dokumentacionit të plotë, Gjykata në katër raste kërkoi nga Komuna e Tetovës që të dorëzojë të gjithë dokumentacionin që i kishte paraprirë miratimit të vendimit të kontestuar. Megjithatë, nga ana e Komunës nuk u dorëzua as pëlqimi dhe as kërkesa për pëlqim që ishte dërguar në Qeveri, por vetëm Lista e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në Komunën e Tetovës, e miratuar më 30.11.2006”, thuhet në njoftim.

Më tej, vijon njoftimi, Gjykata Kushtetuese në tri raste kërkoi nga Qeveria që të dorëzonte pëlqimin e kërkuar, por ai nuk u dorëzua.

“Si rrjedhojë, nga shqyrtimi i dokumentacionit të dorëzuar u konstatua se Komuna e Tetovës nuk kishte paraqitur kërkesë në Qeveri për marrjen e pëlqimit të nevojshëm, e as akt me të cilin Qeveria kishte dhënë pëlqim për Listën, në përputhje me nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. Për këtë arsye, Gjykata konstatoi se ky kusht ligjor nuk ishte përmbushur. Sipas nenit 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore, për miratimin e një vendimi për ndryshimin e emrave kërkohet pëlqim paraprak nga Qeveria”.

Me miratimin e vendimit pa pëlqimin e nevojshëm nga Qeveria, thotë Gjykata Kushtetuese, Komuna e Tetovës ka shkelur parimin e sundimit të ligjit, të përcaktuar në nenin 8 paragrafi 1 alineja 3 dhe nenin 51 të Kushtetutës, si dhe nenin 5 paragrafi 2 të Ligjit për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close