
Të pyetur për takimin e mbrëmshëm të dy bashkëkryetarëve, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, me partnerin qeverisës, kryeministrin Hristijan Mickoski, ku u fol për rikonstruimin e Qeverisë, nga VLEN i thanë TV21 se në takim është zhvilluar një vlerësim fillestar për performancën e ekzekutivit dhe dinamikën e realizimit të programit qeveritar.
Sipas VLEN-it, koncepti i rikonstruimit nuk duhet të kuptohet thjesht si zëvendësim i individëve në poste, por si një mekanizëm për përshpejtimin e reformave dhe dhënien e një shtytjeje të re proceseve që janë në interes të qytetarëve.
“Koncepti që kemi paraqitur është që rikonstruimi të mos reduktohet në ndryshim individësh, por të shërbejë si instrument për përshpejtimin e reformave dhe dhënien e një dinamike dhe shtytjeje të re proceseve që janë në interes të qytetarëve”, thanë nga VLEN për TV21.
Nga koalicioni theksojnë se sa u përket emrave konkretë, ende është herët për të folur, pasi procesi sapo ka nisur dhe pritet të vazhdojë me takime të tjera mes partnerëve në qeveri.



