LajmeMaqedoni

Meidani: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut drejt një kontrolli të vetëm dhe të përbashkët kufitar në Qafë Thanë

Ambasori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka njoftuar se Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë miratoi këtë javë, në parim, marrëveshjen dypalëshe me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për unifikimin e procedurave të kontrollit në vendkalimin kufitar.

Marrëveshja e re synon kalimin nga ky model logjistik (“One Stop – Two Shops”) në një kontroll të vetëm e të integruar (“One Stop – One Shop”), të njohur si regjimi Hyrje–Hyrje: një ndalesë dhe një procedurë e përbashkët, ku veprimi i kontrollit kryhet njëherazi për të dy shtetet.

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, e cilësoi këtë zhvillim si përmbushje të një prej angazhimeve të para të mandatit të tij. “Kufirin nuk e fshijmë me fjalë, por e bëjmë më të lehtë me vepra. Ky është kuptimi i vërtetë i fqinjësisë së mirë; radhë që shkurtohen, pritje që zvogëlohen dhe kohë që u kthehet familjeve dhe qytetarëve tanë”, deklaroi Meidani.

Nevoja për lehtësimin e procedurave reflektohet edhe në fluksin e udhëtarëve. Gjatë vitit 2025, në pikat kufitare mes dy vendeve u regjistruan rreth 4.58 milionë kalime, prej të cilave mbi 2.3 milionë vetëm përmes Qafë Thanës, pikë që përdoret intensivisht gjatë sezonit veror nga qytetarët e Maqedonisë së Veriut drejt bregdetit shqiptar.

Për hyrjen e plotë në fuqi të sistemit mbetet nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare ndërmjet ministrive të Brendshme të të dy vendeve. Pas fazës pilot në Qafë Thanë, modeli pritet të shtrihet gradualisht edhe në pikat e tjera kufitare që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut.

Related Articles

Back to top button
Close
Close