LajmeMaqedoniTopLajm

MMPT: vendimi për emrat e rrugëve në Tetovë cenon identitetin dhe vullnetin e qytetarëve

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit të Këshillit të Komunës së Tetovës të vitit 2007, që kishte të bënte me emërtimin dhe ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shesheve në qytet, ka nxitur reagime të ashpra në opinion.

Në një reagim publik, autori i tekstit vlerëson se vendimi nuk paraqet vetëm një çështje juridike apo administrative, por prek drejtpërdrejt identitetin dhe dinjitetin e shqiptarëve në Tetovë.

“Emrat që po tentohen të rikthehen nuk përfaqësojnë vlerë për shumicën dërmuese të qytetarëve të Tetovës. Ata lidhen me një sistem represiv dhe me një periudhë kur shqiptarët përndiqeshin dhe diskriminoheshin”, thuhet në reagim.

Sipas autorit, imponimi i emrave që nuk pasqyrojnë vullnetin e qytetarëve përbën një veprim antidemokratik dhe një rikthim simbolik të praktikave të së kaluarës.

Ai vlerëson se çështja nuk kufizohet vetëm te emërtimi i rrugëve dhe shesheve, por lidhet edhe me përdorimin e gjuhës shqipe, emërtimin e institucioneve arsimore dhe kulturore, si dhe përfaqësimin e identitetit shqiptar në hapësirat publike.

Në reagim përmendet edhe Muzeu i Tetovës, për të cilin pretendohet se nuk pasqyron në mënyrë të mjaftueshme historinë dhe trashëgiminë shqiptare të qytetit.

“Ky institucion i ngjan më shumë një memoriali komunist sesa një muzeu që paraqet historinë e plotë të Tetovës”, thuhet në tekst.

Autori kritikon gjithashtu partitë politike shqiptare ndër vite, duke i akuzuar për mungesë reagimi dhe për lejimin e vendimeve që, sipas tij, kanë dëmtuar interesat e shqiptarëve.

Në fund të reagimit theksohet se emërtimi i rrugëve dhe hapësirave publike duhet të bazohet në vullnetin e qytetarëve dhe në figura që pasqyrojnë historinë dhe identitetin lokal të Tetovës.

Ndryshe, Gjykata Kushtetuese vendosi së fundmi të shfuqizojë vendimin e Këshillit të Komunës së Tetovës nga viti 2007 për emërtimin dhe riemërtimin e një pjese të rrugëve dhe shesheve në qytet.

Related Articles

Back to top button
Close
Close