LajmeMaqedoniTopLajm

Pas raportit të PE-së, Arta Mero vlerëson studentët: Këtë herë studentët na mbajtën ligjëratë neve profesorëve

Pas miratimit të raportit të Parlamentit Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe reagimeve që pasuan lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, ka reaguar edhe profesoresha universitare Arta Mero.

Në një postim publik, ajo ka vlerësuar angazhimin e studentëve shqiptarë, duke theksuar se këtë herë ishin ata që u dhanë mësim profesorëve për mbrojtjen e të drejtave dhe të parimeve kushtetuese.

“Është rregull që profesorët mbajnë ligjërata studentëve. Këtë herë, studentët na mbajtën ligjëratë neve”, shkruan Mero.

Sipas saj, studentët dëshmuan se e drejta nuk mbrohet vetëm në auditorë dhe në libra, por edhe përmes angazhimit praktik, këmbënguljes dhe mbrojtjes së parimeve juridike.

“Na rikujtuan se e drejta nuk mbrohet vetëm në amfiteatër dhe në libra, por edhe në praktikë, me këmbëngulje, argumente dhe besim në parimet kushtetuese”, thekson ajo.

Duke iu referuar kërkesës për organizimin e Provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe, profesoresha vlerëson se kjo nuk ishte vetëm një kërkesë studentore, por një çështje që prek drejtpërdrejt sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të garantuara me Kushtetutë.

“Kërkesa për organizimin e Provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk ishte thjesht një kërkesë studentore. Ishte një mësim mbi sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të garantuara dhe zbatimin e parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në ushtrimin e profesionit të juristit”, ka shkruar Mero.

Reagimi i saj vjen pasi Parlamenti Evropian miratoi një amendament me të cilin u bën thirrje autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që të zgjidhin sa më shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore, duke garantuar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe duke shmangur etiketimin e protestave studentore si të motivuara politikisht apo destabilizuese.

Deklarata e profesoreshës është interpretuar si mbështetje për angazhimin e studentëve shqiptarë, të cilët prej muajsh kanë kërkuar mundësinë që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe

Related Articles

Back to top button
Close
Close