
Suhejb Memedi ka shprehur mirënjohjen e tij për ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, duke vlerësuar angazhimin dhe mbështetjen e tij për shqiptarët në vend, veçanërisht për Universitetin “Nënë Tereza” në Shkup.
“Dua të shpreh falënderimet e mia të veçanta për ambasadorin Denion Meidani, për gjithë punën e palodhur që ka bërë për popullin shqiptar në Maqedoninë e Veriut, e sidomos për Universitetin ‘Nënë Tereza’ në Shkup. Ai ka qenë një ndër mbështetësit më të mëdhenj gjatë kësaj periudhe”, ka shkruar Memedi.
Ai theksoi se vlera e një njeriu matet me veprat e tij, ndërsa cilësitë që e dallojnë një figurë të madhe janë thjeshtësia dhe modestia.
“Njeriu vlerësohet nga veprat e tij, ndërsa njeriun e madh e bëjnë thjeshtësia dhe modestia. Pak janë njerëzit si ju. Kontributi juaj do të vlerësohet dhe do të mbahet mend gjatë”, u shpreh ai.
Memedi vlerësoi gjithashtu përkushtimin e ambasadorit, duke theksuar se puna e tij duhet të shërbejë si shembull për institucionet dhe shoqërinë.
“Sikur të punohej qoftë edhe 5% sa punon ambasadori, gjendja e shqiptarëve do të ishte shumë më ndryshe”, tha Memedi.
Në fund, ai bëri thirrje për vlerësimin e figurave që kontribuojnë për të mirën e shqiptarëve.
“Nëse duam ndryshime dhe të ecim përpara, duhet t’i vlerësojmë figurat si ambasadori. Vetëm atëherë do të mund të ecim me kokën lart dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët”, përfundoi Memedi.



