
Kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku i është kundërpërgjigjur Dejona Mihalit, e cila e përmendi në një postim për Përparim Ramën, duke e lidhur me “krimin e organizuar”.
Lushtaku e pyet Mihalin se çfarë misioni ka në Kosovë, kush e paguan dhe “a të ka sjellur në Kosovë shërbimi grek, serb apo rus?”.
“Ti Dejona e Aleksandrit nga Greqia, Meqë së fundi më ke përmendur shpesh, ta dish që grupi i vetëm kriminal për të cilin duhet të japni shumë përgjigje jeni ju. Kush je ti që kontrollon çdo gjë në Vetëvendosje? Si është e mundur që Vetëvendosje dhe i gjithë pushteti i saj në Kosovë të drejtohet nga një greke e dyshimtë? Prej nga vjen dhe kush të qëndron prapa? Kush të financon ty? Çfarë misioni ke në Kosovë? Për kë punon ti? A të ka sjellur në Kosovë shërbimi grek, serb apo rus?”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.



