LajmeRajon

Rritet goditja ndaj krimit, Policia e Tiranës bën bilancin: 58 operacione në maj, qindra të arrestuar

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Oliger Torba, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Drejtorin e Kufirit dhe Migracionit Tiranë, Ermal Haxhi, prezantoi rezultatet e punës së Policisë për muajin maj dhe dy javët e para të qershorit.

Sipas Torbës, gjatë muajit maj janë evidentuar 1.436 vepra penale, nga të cilat janë zbuluar 1.331 raste, ose 92.6%. Për këto raste janë identifikuar 1.376 autorë të dyshuar, ku 247 persona janë arrestuar ose ndaluar, 1.055 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 60 janë shpallur në kërkim.

Gjatë kësaj periudhe janë finalizuar 58 operacione policore kundër shpërndarjes së narkotikëve, armëmbajtjes pa leje, lojërave të fatit, prostitucionit, call-centerave të paligjshëm dhe krimeve kundër personit e pronës.

Ndër operacionet më të rëndësishme, drejtori i Policisë përmendi katër fazat e operacionit “Zonat”, ku janë sekuestruar mbi 2.7 kilogramë kokainë dhe heroinë, si dhe operacionin “Rrjeti”, gjatë të cilit janë sekuestruar 17 armë zjarri, municion luftarak, 6 granata defensive dhe rreth 1 kilogram lëndë plasëse.

“Gjatë muajit maj dhe dy javëve të para të muajit qershor janë trajtuar në total 2156 konflikte, nga të cilat 90 konflikte në familje, ndërsa 2066 për motive të ndryshme. Për të gjitha këto raste janë kryer veprimet procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë, duke parandaluar përshkallëzimin e tyre. Dua të theksoj se, falë reagimit në kohë, punës profesionale dhe hetimore të kryer nga strukturat hetimore të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, u dokumentuan me prova ligjore në kohë të shpejtë 5 ngjarje të rënda kriminale, konkretisht vrasja me armë zjarri e 17-vjeçarit, vrasja në Kamëz në rrugën “Dervish Luzha” e 27-vjeçarit, rrëmbimi i 34-vjeçarit, plagosja e punonjësit të Policisë, si dhe zbardhja e vjedhjes me armë të argjendarisë në Kamëz.”, tha ai.

Po ashtu, u veçua operacioni “Wrong Transaction”, në kuadër të të cilit u ekzekutuan 11 masa sigurie ndaj punonjësve të një banke të nivelit të dytë, të dyshuar për përvetësimin e mbi 309 mijë eurove dhe 92 mijë dollarëve përmes falsifikimeve dhe ndërhyrjeve kompjuterike.

Në luftën kundër krimit ekonomik dhe financiar, Policia ka evidentuar 168 raste me 197 autorë, ndërsa në fushën e vjedhjeve janë regjistruar 205 raste, prej të cilave 169 janë zbardhur.

Një tjetër operacion i rëndësishëm ishte “Falsifikatorët”, ku u zbuluan dy baza të falsifikimit të dokumenteve dhe u arrestuan katër persona. Dokumentet e falsifikuara, përfshirë pasaporta biometrike, dyshohet se porositeshin nga qytetarë të Kosovës për përdorim në vendet e Bashkimit Evropian.

Gjatë muajit maj janë kapur gjithashtu 46 persona të shpallur në kërkim kombëtar dhe 6 të kërkuar ndërkombëtarisht.

Në kuadër të luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike, Policia ka sekuestruar 3.000 fara kanabisi dhe ka asgjësuar 1.415 bimë e fidanë të dyshuar si kanabis.

Sa i përket sigurisë rrugore, Policia Rrugore e Tiranës ka evidentuar 6.214 shkelje të Kodit Rrugor, ose 1.895 raste më shumë se muajin e kaluar. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar 53 aksidente rrugore, tre prej të cilave me pasojë humbjen e jetës së tre personave.

Drejtori Torba theksoi se sfidat kryesore mbeten siguria rrugore, konfliktet mes qytetarëve, rastet e dhunës në familje dhe lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike, duke garantuar se kontrollet në terren dhe monitorimi me dronë do të vijojnë të intensifikohen në të gjithë qarkun e Tiranës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close