LajmeMaqedoni

Demant nga Komuna e Çairit: Të gjitha procedurat dhe furnizimet publike janë realizuar në mënyrë transparente dhe në përputhje me ligjin

Në interes të informimit të saktë dhe objektiv të publikut, Komuna e Çairit sqaron se procedurat e furnizimit publik për projektet “Rikonstruksioni i sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal në lagjen Sahat Kullë – Komuna e Çairit”, “Rikonstruksioni i sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit fekal në lagjen Dizhon – Komuna e Çairit” dhe “Ndërtimi i pishinës së mbyllur shkollore pranë SHFK ‘7 Marsi’” janë zhvilluar në përputhje me dispozitat e Ligjit për Furnizime Publike, përmes Sistemit Elektronik të Furnizimeve Publike, duke respektuar parimet e ligjshmërisë, transparencës, trajtimit të barabartë dhe sigurimit të konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë.

Në kuadër të procedurave të zhvilluara janë dorëzuar dhe vlerësuar ofertat e operatorëve ekonomikë të interesuar, ndërsa Komisioni për Furnizime Publike ka kryer shqyrtim dhe vlerësim të detajuar të përmbushjes së kushteve për pjesëmarrje, kritereve për përzgjedhje dhe specifikimeve teknike të përcaktuara në dokumentacionin tenderik dhe shpalljet publike.

Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, është konstatuar se operatorët ekonomikë të përzgjedhur kanë dorëzuar oferta që i plotësojnë në tërësi kushtet dhe kriteret e parapara, si dhe kërkesat e përcaktuara në dokumentacionin tenderik. Për më tepër, çmimet e ofruara janë brenda mjeteve financiare të siguruara dhe të planifikuara në përputhje me vendimet përkatëse për furnizime publike.

Mjetet financiare për realizimin e projekteve infrastrukturore për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit dhe kanalizimit në lagjet Sahat Kullë dhe Dizhon janë siguruar në bazë të marrëveshjeve për shfrytëzimin e mjeteve financiare për dotacione kapitale të dedikuara për njësitë e vetëqeverisjes lokale, të lidhura ndërmjet Komunës së Çairit dhe Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Mjetet për realizimin e projektit për ndërtimin e pishinës së mbyllur shkollore janë siguruar në përputhje me marrëveshjen për shfrytëzimin e mjeteve financiare për dotacione kapitale për projekte infrastrukturore në fushën e arsimit, të lidhur ndërmjet Komunës së Çairit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Duke pasur parasysh se operatorët ekonomikë të përzgjedhur i plotësojnë të gjitha kushtet ligjore, teknike dhe financiare të parapara në dokumentacionin tenderik, si dhe faktin se për realizimin e projekteve janë siguruar mjetet financiare nga ministritë kompetente, janë krijuar të gjitha kushtet për realizimin e papenguar të projekteve në fjalë, të cilat kanë rëndësi të veçantë për përmirësimin e infrastrukturës komunale dhe avancimin e kushteve për arsim dhe sport në territorin e Komunës së Çairit.

Në përputhje me dispozitat e Ligjit për Furnizime Publike, organi kontraktues nuk ka bazë ligjore që ta marrë parasysh kohën e themelimit të operatorit ekonomik si faktor për vlerësimin e aftësisë së tij për pjesëmarrje në procedurat e furnizimit publik. Gjithashtu, organi kontraktues nuk guxon të përcaktojë kushte apo kritere që do të kufizonin pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në bazë të periudhës së ekzistencës së tyre, respektivisht të kërkojë që ata të jenë të regjistruar ose të ushtrojnë veprimtari për një numër të caktuar vitesh para shpalljes së procedurës.

Megjithatë, theksojmë se kompania e përzgjedhur, sipas dokumentacionit të paraqitur, është themeluar disa vite para se të zgjidhej si realizuese e projekteve konkrete.

Kushte të tilla do të ishin në kundërshtim me parimet themelore të Ligjit për Furnizime Publike, veçanërisht me parimet e trajtimit të barabartë, mosdiskriminimit dhe sigurimit të konkurrencës ndërmjet operatorëve ekonomikë. Aftësia e operatorit ekonomik vlerësohet në bazë të përmbushjes së kushteve të përcaktuara me ligj, aftësisë teknike dhe profesionale, gjendjes financiare dhe kritereve të tjera të përcaktuara në dokumentacionin tenderik, e jo në bazë të datës së themelimit apo kohëzgjatjes së veprimtarisë së tij.

Komuna e Çairit realizon rikonstruksion të rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe kanalizimit atmosferik në lagjen Sahat Kullë, në rrugët:

• Remzi Hoxha (Çairska)
• Petre Georgiev
• Mimar Sinan (rr. 372)
• Vasil Axhalarski
• Rruga 157
• Rruga 397
• Kongresi i Manastirit (rr. 374)
• Otokar Kërshovani

Ndërsa në lagjen Dizhon realizohet rikonstruksion i rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit fekal dhe kanalizimit atmosferik në rrugët:

• 22 Nëntori (Dizhonska)
• Gjorgji Tomovski
• Elena Gjika (Josif Shturna)
• Imri Elezi (Bozhin Stijkov)
• Luigj Gurakuqi (Ljube Stoilkoviq)
• Halim Halimiq
• Vëllezërit Rexhepagiq
• Ferid Zajri
• Kemal Sejfulla

Related Articles

Back to top button
Close
Close