LajmeMaqedoni

Kërcënohet gazetari Nevrij Ademi nga njeriu i afërt i Blerim Bexhetit pas pyetjeve drejtuar Ali Ahmetit: “Matu mirë para se të flasësh”

Gazetari Nevrij Ademi ka denoncuar publikisht një mesazh kërcënues dhe shantazhues që ka pranuar, siç thotë ai, nga një person shumë i afërt me ish-kryetarin e Sarajit, Blerim Bexheti.
​Sipas Ademit, ky reagim ndaj tij vjen menjëherë pasi një ditë më parë i ka drejtuar pyetje kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë një aktiviteti partiak në Kërçovë.
​”Mbrëmë, pasi u ktheva nga Kërçova, pranova një telefonatë nga një person shumë i afërt me Blerim Bexhetin. Më pas mora edhe një mesazh ku thuhej: ‘Herëve të tjera matu mirë para se të flasësh’”, ka bërë të ditur gazetari përmes një reagimi në rrjetet sociale.
​Ademi e ka cilësuar këtë mesazh si një konfirmim të drejtpërdrejtë të problemeve të brendshme dhe humbjes së mbështetjes në terren për partinë shqiptare në opozitë, duke ia adresuar fajin direkt figurës së Bexhetit.
​”Urdhëro, kryetar, ja ku e ke dëshminë se pse e humbe Sarajin. Sarajin e humbi mendësia banditeske e Blerim Bexhetit, i cili përmes kërcënimeve dhe shantazheve përpiqet të fshehë të vërtetën. E vërteta është se BDI-ja duhet të bëj reforma reale duke i larguar njerëzit e këtillë”, shkruan Ademi.
​Në fund të reagimit të tij, gazetari ka përcjellë një porosi të prerë edhe në gjuhën maqedonase për deputetin e BDI-së, duke thënë se me metoda të tilla nuk mund të arrihet asgjë: “Ndërsa për ty, Blerim Bexheti: me kërcënime nuk arrin asgjë. Ништо ама баш ништо!”

Related Articles

Back to top button
Close
Close