
Zgjerimi nuk është më vetëm një proces teknik i anëtarësimit. Ai është një investim strategjik në sigurinë, stabilitetin dhe konkurrueshmërinë e Evropës. Një Evropë e sigurt dhe prosperues nuk mund të jetë e plotë pa integrimin e plotë të Ballkanit Perëndimor, deklaroi shefi i diplomacisë së Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, në fjalimin e tij në takimin e ministrave të jashtëm të Procesit të bashkëpunim të Evropës Juglindore (SEECP), i cili u mbajt sot në Sofje në kuadër të kryesimit bullgar të kësaj nisme më të vjetër dhe më të rëndësishme politike për bashkëpunim rajonal në Evropën Juglindore.
Duke iu referuar sfidave aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë, ai theksoi se në kushtet e luftës në Evropë, kërcënimeve hibride, dezinformatave, pasigurisë energjetike dhe rreziqeve kibernetike, integrimi evropian dhe bashkëpunimi rajonal marrin një rëndësi edhe më të madhe strategjike.
Ai theksoi gjithashtu se besueshmëria e procesit të zgjerimit varet nga respektimi i vazhdueshëm i detyrimeve të marra përsipër, parashikueshmëria e procesit dhe parimi i meritës.
“Duhet të jemi të sinqertë: besueshmëria e zgjerimit varet nga rezultatet. Meritat duhet të kenë kuptim. Detyrimet duhet të respektohen. Rregullat e procesit duhet të jenë të parashikueshme. Ballkanit Perëndimor i nevojitet një rrugë evropiane e bazuar në rezultate, e jo në shtyrje të vazhdueshme”, theksoi Mucunski
Takimi në Sofje i është kushtuar shënimit të tre dekadave nga formimi i SEECP dhe është mbajtur nën temën: “Kompas i përbashkët për një rajon të qëndrueshëm, të sigurt dhe të zhvillueshëm – 30 vjet pronësi rajonale dhe aspiratë evropiane”. Në fokus të diskutimeve kanë qenë perspektiva evropiane e rajonit, avancimi i bashkëpunimit rajonal, forcimi i sigurisë dhe qëndrueshmërisë, si dhe nxitja e zhvillimit ekonomik dhe konkurrueshmërisë në kushtet e sfidave komplekse gjeopolitike dhe të sigurisë.
Në fjalimin e tij, ministri Mucunski theksoi se SEECP mbetet një nga mekanizmat më të rëndësishëm për dialog politik dhe bashkëpunim në rajon.
“SEECP mbetet një nga kornizat më të vlefshme dhe autentike për bashkëpunim rajonal. Është një platformë e krijuar nga rajoni, e udhëhequr nga rajoni dhe e mbështetur nga bindja se sfidat e përbashkëta kërkojnë përgjigje të përbashkëta”, theksoi Mucunski.
Duke u ndalur te rëndësia e lidhshmërisë rajonale dhe integrimit ekonomik, ministri theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të infrastrukturës transportuese, energjetike dhe digjitale, si dhe ndaj forcimit të mëtejshëm të lidhshmërisë rajonale përmes korridoreve 8 dhe 10, të cilat kanë rëndësi strategjike për rajonin dhe për integrimin evropian.
Në këtë kontekst, ai theksoi rëndësinë e investimeve në kapitalin njerëzor si parakusht për zhvillim afatgjatë dhe konkurrueshmëri.
“Kapitali njerëzor është burimi më i madh. Pa investime te njerëzit, asnjë projekt infrastrukturor dhe asnjë reformë ekonomike nuk mund ta arrijë potencialin e tij të plotë”, theksoi Mucunski.
Në kuadër të takimit u miratua një deklaratë e përbashkët me të cilën u riafirmua mbështetja për integrimin evropian të rajonit, marrëdhëniet e mira fqinjësore, vlerat demokratike dhe përpjekjet e përbashkëta për ndërtimin e një rajoni më rezistent, më konkurrues dhe më të qëndrueshëm.



