
Sot përfundon viti shkollor 2025/2026. Një vit që ishte më i mirë se ai paraprak dhe gjatë të cilit kemi sjellë shumë risi në procesin edukativo-arsimor, në interes të nxënësve, mësimdhënësve, bashkëpunëtorëve profesionalë, si dhe të prindërve dhe kujdestarëve. Falënderim për të gjithë për mbështetjen dhe pranimin e ndryshimeve. Jam e bindur se tashmë po i shohim rezultatet e para pozitive, të cilat paraqesin motiv shtesë për të vazhduar me avancimin e sistemit arsimor.
Të gjithë nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme i përgëzoj për sukseset e arritura. U dëshiroj pushime të bukura verore, të mbushura me çlodhje, shoqërim dhe kujtime të paharrueshme. Besoj se do të gjejnë kohë edhe për leximin e literaturës, për fitimin e njohurive të reja dhe për zhvillimin e aftësive personale.Kompjuterët dhe mjetet digjitale që i kanë në dispozicion le t’i përdorin me mençuri për të mësuar, hulumtuar dhe zbuluar mundësi të reja.
Mësimdhënësit janë dhe mbeten shtylla më e rëndësishme e arsimit cilësor. Me përkushtim dhe profesionalizëm të madh, ata e realizuan procesin mësimor dhe ua përcollën dijen nxënësve të tyre në mënyrën më të mirë të mundshme. Për të nxitur më tej motivimin dhe kreativitetin e tyre, kemi marrë vendim për rritje të re të pagave prej 7,5 për qind, me ç’rast rritja kumulative gjatë dy viteve të fundit tejkalon 20 për qind.
Paralelisht investuam në përmirësimin e kushteve për mësimdhënie dhe punë, por edhe në krijimin e mundësive për zhvillim profesional dhe në karrierë. Realizuam thirrje të reja për avancimin e mësimdhënësve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë në titujt mentor dhe këshilltar në arsimin fillor, ndërsa për herë të parë kjo mundësi u mundësua edhe në arsimin e mesëm.
Është e rëndësishme të mbetemi partnerë edhe në të ardhmen. Jam e bindur se së bashku do t’i realizojmë të gjitha qëllimet dhe aktivitetet e parapara në Agjendën e Reformave. Interesi më i mirë i nxënësve është prioriteti ynë i përbashkët dhe mbetet në qendër të gjithçkaje që bëjmë.
Falënderim të veçantë u drejtoj edhe prindërve dhe kujdestarëve. Përkushtimi dhe kujdesi i tyre pasqyrohen më së miri përmes zhvillimit dhe sjelljes së fëmijëve. Në vitin e ardhshëm shkollor pres edhe më shumë proaktivitet dhe bashkëpunim, veçanërisht në përballjen me sfidën e dhunës mes bashkëmoshatarëve. Secili prej nesh ka një rol po aq të rëndësishëm në krijimin e një mjedisi shkollor të sigurt, të qetë dhe nxitës.
Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës e pret një verë e ngarkuar me punë. Janë në zhvillim e sipër disa procese të rëndësishme, të cilave u jemi përkushtuar plotësisht – realizimi i provimit shtetëror të maturës, regjistrimet në arsimin e mesëm, furnizimi me tekste të reja shkollore, hartimi i programeve të reja mësimore, përshpejtimi i digjitalizimit, si dhe përfundimi i disa investimeve infrastrukturore.
Të kënaqur me atë që kemi arritur deri më tani, vazhdojmë me motivim dhe përkushtim të krijojmë kushte edhe më të mira për një vit shkollor të suksesshëm 2026/2027.
Të gjithëve Ju dëshiroj shëndet të mirë, lumturi dhe pushime të këndshme verore.
Prof. dr. Vesna Janevska
Ministre e Arsimit dhe Shkencës



