
Aksidentet rrugore dhe ajrore kanë lënë gjurmë të thella në historinë e futbollit, duke i marrë jetën para kohe shumë futbollistëve.
Ngjarje të tilla jo vetëm që kanë tronditur klubet dhe tifozët, por kanë lënë pas edhe histori të dhimbshme që vazhdojnë të kujtohen me keqardhje. Së fundmi, futbolli shqiptar u godit nga humbja tragjike e sulmuesit të AF Elbasanit, një ngjarje që riktheu në vëmendje rastet e shumta të futbollistëve që kanë humbur jetën në aksidente fatale.
Një nga tragjeditë më të mëdha të viteve të fundit ishte ajo e sulmuesit portugez Diogo Zhota. Verën e kaluar, futbollisti i Liverpulit humbi jetën së bashku me vëllain e tij, Andre Silva, në një aksident automobilistik në veri të Spanjës, ndërsa po udhëtonin drejt Anglisë. Lajmi tronditi mbarë botën e futbollit dhe shkaktoi reagime të shumta nga klubet, lojtarët dhe tifozët.
Po gjatë verës së kaluar, jetë tragjikisht humbi edhe Etan MekLeod. Futbollisti 21-vjeçar, i cili kishte qenë pjesë e klubeve si Uolves dhe Maklesfilld, ndërroi jetë pasi automjeti i tij u përplas me një barrierë metalike pranë Northamptonit në Angli.
Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, futbolli grek u përfshi nga zia pas ndarjes nga jeta të Mario Oikonomou. 33-vjeçari, i cili aktivizohej me AEK-un e Athinës, ndërroi jetë në spital pas disa ditësh në gjendje kritike. Ai ishte përplasur nga një automjet teksa udhëtonte me motor.
Një tjetër emër i njohur që humbi jetën në mënyrë tragjike ishte Zhoze Antonio Rejes. Ish-futbollisti i Arsenalit dhe Seviljes ndërroi jetë në vitin 2019 pas një aksidenti të rëndë rrugor në aksin mes Utrerës dhe Seviljes në Spanjë. Po atë vit, bota e futbollit u trondit edhe nga vdekja e Emiliano Salës. Sulmuesi argjentinas kishte firmosur me Cardiff City dhe po udhëtonte nga Nanta drejt Britanisë për t’iu bashkuar skuadrës së re, kur avioni i tij i tipit “Piper Malibu” u rrëzua mbi La Mansh për shkak të motit të keq.
Të gjitha këto histori dëshmojnë se futbolli, pavarësisht emocioneve dhe lavdisë që sjell, nuk ka mundur t’u shpëtojë tragjedive. Ndarja nga jeta e sulmuesit të AF Elbasanit i shtohet një liste të gjatë humbjesh që kanë lënë boshllëk në fushat e blerta dhe në zemrat e tifozëve.


