
Mbrëmë, bota e futbollit është tronditur sërish pas një episodi të rëndë që përfshiu mesfushorin danez Christian Eriksen gjatë ndeshjes miqësore ndaj Ukrainës.
Eriksen u rrëzua në fushë, duke rikthyer kujtimet dramatike të Kampionatit Evropian 2021, kur ai pësoi një atak kardiak dhe më pas iu vendos një defibrilator nënlëkuror. Këtë herë, sipas raportimeve, pajisja e tij ka reaguar dhe ka ndihmuar në stabilizimin e gjendjes së futbollistit.
Pas incidentit, disa ekspertë kanë spekuluar se 34-vjeçari mund të ketë zhvilluar ndeshjen e tij të fundit me përfaqësuesen e Danimarkës.
Megjithatë, kryeredaktori i BT Sports, Lasse Vøge, ka bërë thirrje për kujdes, duke theksuar se ende nuk dihen shkaqet e sakta të incidentit dhe se nuk duhet nxjerrë përfundime të nxituara mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Ai ka nënvizuar se, edhe nëse situata nuk është aq e rëndë sa u duk fillimisht, ky episod duhet të shërbejë si moment reflektimi për futbollistin dhe familjen e tij.
Sipas tij, Eriksen duhet të marrë një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e karrierës, duke marrë parasysh edhe ndikimin emocional mbi familjen e tij, e cila ka përjetuar disa herë situata të rënda gjatë ndeshjeve të tij.
Me 151 paraqitje për Danimarkën, Eriksen mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë e futbollit danez, por vendimi për vazhdimin e karrierës së tij mbetet plotësisht në dorën e tij.



