
Kreu i LSDM-së Venko Filipe drejtoi kritika të ashpra ndaj qeverisë për bllokimin e procesit integrues të vendit. Filipçe nga kongresi i 32 i partisë i bëri thirrje kryeministrit Mickoski të mos e humbasë trenin e fundit me justifikime të kota por të ndërmarrë hapa konkretë për integrim në BE.
“Këtu është dobësia më e madhe e këtij pushteti. Dëshiron Evropë si skenë por jo Evropë si obligim. Dëshiron të ulet në tavolinë me Makronin dhe Mercin por nuk dëshiron në vend të tregojë të vërtetën për hapin që duhet të ndërmerret, përkatësisht të shpikë dhe të frikësojë qytetarët për kinse humbjen e identitetit dhe gjuhës. Dëshiron të thotë se zgjerimi është gjallë ndërsa refuzon të përballet me kushtin e vetëm që edhe vet Evropa qartë e përsëritë”, deklaroi kreu i social demokratëve, Venko Filipçe.
Filipçe në kongresin e sotëm partiak prezantoi të ashtuquajturin betimin e ri i cili siç tha, do të fillojë nga puna e vlerësuar e çdo qytetari, nga të rinjtë që studiojnë e diplomojnë dhe nuk dinë ku do të përfundojnë, nga tregtarët e vegjël që paguajnë tatime gjithandej e biznesmenët e mëdhenj gjejnë vrima në sistem. Filipçe akuzoi pushtetin edhe për ndikim ndaj gjyqësorit.
“Në gjyqësor nuk ka përparim, përkundrazi pushteti po përpiqet të vendos kontroll të plotë në këtë pjesë kyçe të sistemit. Jo vetëm që nuk ekziston luftë kundër korrupsionit por derisa korrupsioni lulëzon, Qeveria shfrytëzon Prokurorinë për revanshizëm dhe sulme ndaj opozitës”, tha Filipçe.
Në kongres morën pjesë dhe partitë simotra progresive dhe social demokrate nga Evropa dhe rajoni. Ky kongres është i 32ti me radhë për partinë ndërsa në kongresin e fundit që u mbajt në janar, partia u përball me përçarje të brendshme me çka vendosi të përjashtojë nga partia Petre Shilegovin dhe Jovan Despotovskin. Sipas LSDM-së, që të dy fshehurazi kanë punuar për interesa të Qeverisë dhe kanë dëmtuar partinë amë. Pas dështimit të kësaj partie në zgjedhjet lokale, e gjithë kryesia e LSDM-së pati dhënë dorëheqje, përpos kryetarit të partisë, Venko Filipçe. /Alsat.mk



