
Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë miratuar fillimin e negociatave për heqjen e roaming-ut me shtetet e Ballkanit Perëndimor, është konfirmuar jozyrtarisht nga Këshilli i BE-së.
Vendimi ka të bëjë me hapjen e negociatave me Kosovën, Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për roaming-un në rrjetet publike të komunikimeve mobile.
Këshilli i BE-së pritet që të enjten, më 4 qershor, ta miratojë zyrtarisht vendimin, dhe më pas mund të nisin negociatat me secilin shtet të rajonit në mënyrë individuale.
Nga Presidenca qipriote e Bashkimit Evropian u tha se mbështesin fuqishëm rrugën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Evropian në muajin shkurt kishte propozuar heqjen e roaming-ut për Ballkanin Perëndimor.
Zyrtarët evropianë presin që negociatat të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Në një skenar ideal, roaming-u midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së mund të hiqet që vitin e ardhshëm. Megjithatë, zyrtarët evropianë theksojnë se gjithçka varet nga gatishmëria e vendeve të rajonit për të përparuar në këto negociata.
“Roam Like at Home” përfaqëson një nga politikat më të suksesshme të Bashkimit Evropian të dedikuara qytetarëve të tij. Ai është në fuqi që nga viti 2017.
Bëhet fjalë për një rregullore të Komisionit Evropian që mundëson përdorimin e telefonave celularë në shtetet e tjera anëtare me të njëjtat çmime si në vendin e origjinës.
Kjo do të thotë se gjatë përdorimit të telefonit celular në zonën e BE-së nuk ka kosto shtesë për thirrje, SMS dhe përdorimin e internetit, por aplikohen tarifat e vendit të origjinës. I njëjti rregull vlen edhe për thirrjet dhe mesazhet që përdoruesit i marrin gjatë qëndrimit jashtë vendit.



