Rekord në Everest, 274 alpinistë pushtojnë majën brenda një dite nga ana e Nepalit

Një numër rekord alpinistësh arritën majën e malit Everest të mërkurën, duke shënuar ditën me më shumë ngjitje të regjistruara ndonjëherë nga ana nepaleze e malit më të lartë në botë.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Organizatorëve të Alpinizmit dhe Ekspeditave të Nepalit, Rishi Bhandari, deklaroi për Reuters se ky është numri më i madh i alpinistëve që kanë arritur majën në një ditë të vetme.
Nga ana tjetër, autoritetet kineze nuk kanë lëshuar leje ngjitjeje këtë sezon nga pala tibetiane e Everestit, çka ka bërë që të gjitha ngjitjet të realizohen nga ana e Nepalit.
Zyrtari i Bordit të Turizmit të Nepalit, Himal Gautam, tha se autoritetet janë ende duke verifikuar fotografitë dhe provat e tjera të alpinistëve për të konfirmuar përfundimisht shifrën rekord dhe për të lëshuar certifikatat përkatëse.
“Po presim që alpinistët të kthehen në kampet bazë dhe të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm. Vetëm pas kësaj do të kemi numrin përfundimtar zyrtar”, deklaroi ai.
Nepali ka lëshuar këtë vit 494 leje ngjitjeje për Everestin, me një tarifë prej 15 mijë dollarësh për secilën leje. Megjithatë, ekspertët e alpinizmit kanë ngritur prej kohësh shqetësime për mbipopullimin në malin më të lartë të botës.
Sipas tyre, fluksi i madh i alpinistëve krijon radhë të gjata dhe situata të rrezikshme në të ashtuquajturën “zona e vdekjes”, pranë majës së Everestit, ku niveli i oksigjenit është jashtëzakonisht i ulët.
Në vitet e fundit, autoritetet nepaleze kanë vendosur masa më të rrepta sigurie dhe kontrolle shtesë për alpinistët, duke synuar të reduktojnë rreziqet dhe të shmangin aksidentet fatale në Everest.



