
Përplasjet mes pushtetit dhe opozitës për ndryshimet në Ligjin për Qeverinë, me të cilat parashihet shfuqizimi i modelit të qeverisë teknike, po thellohen dhe po marrin përmasa të reja politike. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, i vendosi ultimatum kryeministrit Hristijan Mickoski që Qeveria të tërheqë Propozim-Ligjin, duke paralajmëruar se në të kundërt partia e tij do të largohet nga grupi punues për Kodin Zgjedhor. Nga ana tjetër, shumica parlamentare insiston se modeli i qeverisë teknike ka humbur funksionin e tij dhe se vendi duhet të hyjë në një fazë të re politike pa mekanizma që, sipas tyre, janë shndërruar në instrument bllokues dhe jo garantues të proceseve demokratike.
Debati për qeverinë teknike rikthen në skenë edhe trashëgiminë politike të Marrëveshjes së Përzhinës, e cila në vitin 2016 u vendos si mekanizëm për organizimin e zgjedhjeve të besueshme pas krizës së thellë politike. Për opozitën, ky model mbetet një garanci minimale për zgjedhje të ndershme dhe për kontroll institucional ndaj pushtetit, ndërsa për qeverinë aktuale ai përfaqëson një zgjidhje të tejkaluar që nuk duhet të mbetet pjesë e sistemit politik. Pikërisht kjo ndarje e fortë po e shndërron debatin ligjor në një betejë të hapur politike me pasoja të drejtpërdrejta edhe për dialogun rreth reformës zgjedhore dhe mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Filipçe akuzoi qeverinë për qasje autokratike dhe tha se shfuqizimi i qeverisë teknike në këtë moment do të ishte goditje ndaj standardeve demokratike. “Me këtë mënyrë, që është një stil plotësisht autokratik i qeverisjes, kjo qeveri nuk duhet dhe nuk mund të shfuqizohet. Ajo është garanca e vetme për zhvillimin e zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike. Kur pushteti ka kontroll të plotë mbi gjyqësorin dhe emërohen shërbëtorë partiakë si gjyqtarë dhe prokurorë, kur kryeministri me ndjenjat e tij u jep urdhra prokurorëve dhe kur nuk dihet si dhe në çfarë mënyre përdoren të dhënat nga sistemi ‘Qyteti i Sigurt’, kjo thjesht nuk guxon të ndodhë”, deklaroi Filipçe.
Sipas tij, mënyra aktuale e qeverisjes ngjan me periudhën e Nikolla Gruevskit nga viti 2006 deri në vitin 2016, duke paralajmëruar se LSDM nuk do të pranojë kthim prapa në standardet demokratike. “Nëse sot ky ligj kalon në komision dhe pushteti vazhdon procedurën parlamentare, grupi ynë parlamentar tërhiqet nga grupi punues për Kodin Zgjedhor. Ky ligj për shfuqizimin e qeverisë së Përzhinës duhet të tërhiqet nga pushteti, sjellje të tilla autokratike nuk lejohen dhe nuk do t’i pranojmë”, tha Filipçe.
Ai u shpreh i bindur se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe se pikërisht për këtë arsye pushteti po nxiton me ndryshimet ligjore. “U ngutet sepse po mbarojnë paratë në buxhet për interesat e tyre biznesore. Po nxitohet të miratohet ligji që të shpallen zgjedhje të parakohshme. Ligji për zgjedhjet nuk mund të miratohet pa grupin tonë parlamentar”, theksoi Filipçe.
AKUZA PËR SHITJE TË INTERESAVE SHTETËRORE
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE i hodhi poshtë këto akuza dhe kërkoi vazhdimin e dialogut institucional. Deputeti Mile Lefkov deklaroi se shumica parlamentare mbetet e hapur për konsensus, por kritikoi opozitën për, siç tha ai, qasje të paqëndrueshme dhe të motivuar nga interesa të tjera. “Ne mbetemi të hapur për dialog, mbetemi të hapur për konsensus, megjithatë nuk është në rregull kështu të reagohet dhe të punohet sipas nevojave dhe interesave të shteteve tjera. Është koha t’i shikojmë dhe t’i mbrojmë interesat tona nacionale. Kur bëhet fjalë për principet e tyre, njëherë edhe ata thanë se janë kundër qeverisë teknike, dje paralajmëruan amendamente, ja sot e shihni se nuk parashtruan asnjë. Bëjnë udhëheqje të politikës ditore jo-principiele dhe shpresoj se do të largohen nga ky lloj i të bërit politikë dhe do të vazhdojnë negociatat edhe për Kodin Zgjedhor”, deklaroi Lefkov.
Shumica parlamentare tashmë ka votuar nevojën për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Qeverinë. Propozimi parasheh që modeli i qeverisë teknike të zbatohet edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa më pas të shfuqizohet përfundimisht. Opozita, përkatësisht LSDM dhe BDI, mbeten fuqishëm kundër këtij ndryshimi, duke e konsideruar atë si tentativë për të dobësuar kontrollin institucional mbi procesin zgjedhor.
SHTETËSIA E DYFISHTË HAP FRONT TË RI MES PUSHTETIT DHE OPOZITËS
Ndërkohë, përplasjet mes pushtetit dhe opozitës janë thelluar edhe në një tjetër front politik – çështjen e shtetësisë së dyfishtë për funksionarët e lartë shtetërorë. LSDM kërkon që ndalesa për posedimin e shtetësisë së dyfishtë të vlejë menjëherë jo vetëm për deputetët, por edhe për ministrat, zëvendëskryeministrat dhe të gjithë përbërjen e qeverisë, ndërsa VMRO-DPMNE akuzon opozitën për manipulim politik dhe veprim sipas agjendave të jashtme.
LSDM opozitare njoftoi sot se grupi i saj parlamentar ka dorëzuar propozim-ndryshime në Ligjin për Qeverinë me procedurë të shkurtuar. Me këto ndryshime parashihet që ndalesa për posedimin e shtetësisë së dyfishtë të përfshijë të gjithë anëtarët e pushtetit ekzekutiv, duke përfshirë ministrat dhe zëvendëskryeministrat.
Nga partia theksojnë se qëllimi i tyre është vendosja e një parimi të qartë sipas të cilit të njëjtat rregulla duhet të vlejnë për të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, pa asnjë përjashtim. “Ndalesa për shtetësi të dyfishtë të vlejë për ministrat, zëvendëskryeministrat dhe gjithë përbërjen e qeverisë dhe atë menjëherë”, thuhet në komunikatën partiake.
LSDM kritikoi propozimin e VMRO-DPMNE-së për ndryshime në Ligjin për Deputetët, duke e quajtur atë “edhe një mashtrim të pushtetit”. Sipas opozitës, propozimi i shumicës është manipulues, pasi sipas tyre do të vlente vetëm nga përbërja e ardhshme parlamentare dhe jo për deputetët aktualë. Nga partia paralajmëruan se do të dorëzojnë edhe amendamente ndaj propozimit të VMRO-DPMNE-së, me qëllim që të sigurohet se ndalesa për shtetësi të dyfishtë te deputetët do të fillojë të vlejë menjëherë.
Këto qëndrime të opozitës nxitën reagim të menjëhershëm nga VMRO-DPMNE, e cila akuzoi LSDM-në për politikë të dirigjuar nga jashtë dhe për instrumentalizim të çështjes së shtetësive për interesa partiake. Deputeti Mile Lefkov tha se tema po përdoret në mënyrë të sinkronizuar me struktura nga Bullgaria dhe se opozita po vepron në përputhje me agjenda të huaja, e jo me interesat shtetërore. “Që nga avioni shihet sinkronizimi i temës për shtetësitë mes strukturave nga Bullgaria që e hapin këtë temë, të pakënaqura nga politika e patriotizmit dhe moslëshimit të VMRO-së, ndryshe nga politika nënshtruese e LSDM-së, e cila ngjitet në këtë temë të diktuar nga Bullgaria si miza në mjaltë”, deklaroi Lefkov.
Sipas tij, një koordinim i tillë është rezultat i shumë bizneseve përmes llogarive bullgare të njerëzve nga maja e LSDM-së dhe faktit se dikush duket sikur i ka kapur për fyti dhe tani ata duhet të japin rezultat. Ai shtoi se kjo mënyrë e të bërit politikë është e papjekur dhe bëhet me diktat, e jo në përputhje me interesat e Maqedonisë. (koha.mk)



