
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thotë se aktualisht nuk ka njoftim nga autoritetet europiane për praninë e ushqimit për fëmijë HiPP të kontaminuar në Shqipëri.
Në kavanozat prej 190 gr me karrota dhe patate të HiPP të shpërndara në Austri sipas mediave nderkombetare u gjet helm për minj dhe produkti u tërhoq nga më shumë se 1 mijë supermarkete për shkak të frikës për sigurinë.
Pas kësaj ngjarje ABC News pyeti pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit zyrtarët e të cilit thanë se sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin dhe ushqimin për kafshë nuk ka sinjalizuar për të njejtën seri te produktit në vendin tonë.
Policia austriake tha se kavanozët e prekur kishin një shirit me rreth të kuq në fund, kapakët ishin të dëmtuar , iu mungonte vula e sigurisë dhe mbanin erë të pazakontë. Analizat laboratorike sipas medias nderkombetare zbuluan prani të lëndës toksike dhe në kavanoza të ngjashëm të sekuestruar nga policia në Çeki dhe Sllovaki.



