
Evropa po “dridhet” nga frika e mungesës së karburanteve. Ditëve të fundit në fokus është kerozini, i cili është i rëndësishëm për turizmin, por edhe për transportin kargo të dërgesave me vlerë dhe një gamë të gjerë produktesh industriale. Paralajmërimi më i ri për mungesë të këtij karburanti, por edhe të dizelit, erdhi nga ministri austriak i ekonomisë, energjisë dhe turizmit.
“Ndërprerjet në furnizime gjatë javëve të fundit do të arrijnë edhe në Evropë me vonesë kohore dhe mund të përballemi me mungesë prej rreth 5% dizel dhe 15% kerozin, për shkak të uljes së furnizimeve”, tha Wolfgang Hattmansdorfer, ministër i Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit i Austrisë.
E ndërsa Evropa po përgatitet për krizë të mungesës së karburanteve, kryeministri i Maqedonisë Hristijan Mickoski përsëriti qëndrimin se furnizimi në vend është stabil.
“Në këtë moment nuk shohim rrezik. Gjithashtu me kerozinin që e eksportojmë. Disa aeroporte në rajon marrin kerozin, i tillë është aeroporti i Prishtinës dhe disa të tjerë, tani të mos i përmend të gjitha. Pra, në këtë moment fakti i parë është se qytetarët tek ne përdorin karburantet më të lira në rajon dhe fakti i dytë është se kemi sasi të mjaftueshme dhe për momentin nuk shohim asnjë sfidë që lidhet me mungesë. Nëse ndodh një sfidë e tillë, atëherë në kohë do të riorganizohemi dhe do të përgatisim strategji të re”, deklaroi Krzeministri Hristijan Mickoski
Ndërkohë, për problemet me karburantin e avionëve në Evropë paralajmëroi edhe drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol. Sipas tij, bota ndodhet në krizën më të madhe energjetike për shkak të bllokadës së Ngushticës së Hormuzit.
Mickoski përsëriti se shteti nuk i ka prekur aspak rezervat shtetërore të naftës, të cilat kanë sasi për 62 ditë nevoja ditore të vendit, dhe se ka derivate në përçuesin Selanik–Shkup për disa javë. Kompanitë e naftës kanë rezerva operative për pesë ditë, si dhe rezerva komerciale deri në dy javë.



