
Një nga emrat më të përkushtuar të skenës artistike është emëruar së fundmi drejtor i Teatrit të Gostivarit, duke marrë një rol të rëndësishëm në udhëheqjen dhe zhvillimin e këtij institucioni kulturor.
I diplomuar në Universitetin e Tetovës, në Fakultetin e Arteve – drejtimi Aktrim, në klasën e profesorit Senad Abduli, ai prej vitesh ka ndërtuar një karrierë të pasur në fushën e aktrimit.
Me një përvojë që shtrihet në gati tri dekada, ai ka dëshmuar vazhdimisht talentin dhe përkushtimin e tij në skenë. Aktiviteti i tij artistik përfshin angazhime të shumta, duke nisur nga skena lokale në Gostivar, e deri te pjesëmarrja në projekte më të gjera, përfshirë seriale televizive dhe filma me metrazh të gjatë.
Emërimi i tij në krye të Teatrit të Gostivarit vlerësohet si një njohje e merituar për kontributin e tij të gjatë dhe të çmuar në artin skenik.
Gjatë gjithë karrierës së tij, ai është shquar për profesionalizëm dhe dashuri të thellë për aktrimin, duke u bërë një figurë e respektuar në komunitetin artistik dhe një kontribuues i rëndësishëm në zhvillimin e kulturës në vend.
Ndryshe, emërimi i Omer në krye të teatrit të Gostivarit vjen pas dorëheqjes nga kjo pozitë e u.d Ilir Osmani, i cili mori drejtimin e teatrit të Gostivarit atëhere pas shkarkimit të Sulejman Rushitit.



