LajmeRajon

Nga Kina, Lavrovi “vajton” Serbinë e kritikon BE-në (VIDEO)

Në takimin e së mërkurës me presidentin e Kinës, Xi Jinping, ministri i jashtëm i Rusisë, Sergey Lavrov diskutoi raportet dypalëshe, zhvillimet ndërkombëtare e, natyrshëm, përmend edhe atë që njihet si vegla e Kremlinit në Ballkan.

Serbinë, rusi tha se Bashkimi Evropian po e kushtëzon me Kosovën, padrejtësisht, duke tentuar ta kthejë në zonë neutrale kundër Rusisë, raporton Klan Kosova.

Pikërisht prej Kinës, nga ku kryediplomati rus e vajtoi Serbinë, kjo e fundit ka blerë së fundmi raketat balistike supersonike CM-400. Modernizimin e ushtrisë mëton ta çojë edhe më tej, siç presidenti serb, Alleksandar Vuçiq bëri të ditur në takimin e së mërkurës me top-ushtarakë të Serbisë e me mysafirë nga Republika Sërpska e Bosnje-Hercegovinës.

Millorad Dodik dhe lideri aktual i këtij entiteti, Sinisha Karan, u informuan për synimin e formimit të batalioneve me dronë sulmues me rreze të gjatë dhe municion lëvizës, sepse sigurinë në rajon, Vuçiqi thotë ta ketë ndërlikuar aleanca ushtarake Kosovë – Shqipëri – Kroaci.

Si dhjetëra herë tashmë, kundërpërgjigja i shkoi kryetarit serb nga dora e parë.

Ministri i Mbrojtjes i Kroacisë, që të mërkurën priti në takim homologun shqiptar Ermal Nufi, tha se nuk shqetësohet fare nga deklarimet e Vuçiqit.

Ivan Anushiq përsërit se deklarata trepalëshe e mbrojtjes mes Zagrebit, Tiranës e Prishtinës synon paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. /Klankosova.tv

Related Articles

Back to top button
Close
Close