
Një nga emrat më të spikatur që Maqedonia e Veriut i ka dhënë botës së artit, aktori profesionist nga Gostivari, İsmail Ömer, po vazhdon të ndërtojë një karrierë të suksesshme që shtrihet nga Ballkani deri në Turqi.
I diplomuar në Fakultetin e Arteve të Bukura, Dega e Teatrit, Ömer e ka ndërtuar rrugëtimin e tij artistik duke kombinuar formimin akademik me përvojën skenike, çka e ka pozicionuar si një nga figurat më premtuese të skenës artistike në rajon.
Suksese në produksione të njohura
Karriera e aktorit nisi me pjesëmarrjen në projektin e TRT-së “Balkan Ninnisi”, një serial që trajton tematikën dhe emocionet e hapësirës ballkanike. Më pas, ai vazhdoi aktivitetin e tij në serialet e platformës digjitale të TRT-së, tabii, si “Benim Adım Aylamaz” dhe “Naser”, projekte që kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe kritikës.
Sipas burimeve nga qarqet artistike, trailerat e këtyre projekteve janë pritur me interes të madh dhe kanë marrë vlerësime pozitive menjëherë pas publikimit.
Premiera e re më 24 prill
Aktori nga Gostivari do të rikthehet në ekranin e madh më 24 prill me filmin e ri të TRT Sinema dhe Ender Yapım, me titull “Geçmişin Kokusu”. Në këtë projekt ambicioz, ai pritet të sjellë një rol që vë në pah edhe një herë aftësitë e tij artistike dhe interpretative.
Premiera e filmit do të shoqërohet me një gala mbrëmje të organizuar në Stamboll, ku pritet pjesëmarrje e emrave të njohur të kinemasë nga Turqia dhe rajoni.



