
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, theksoi se duhet të përgjysmohen taksat mbi naftën.
Berisha u shpreh se rritja e çmimit të karburanteve ka goditur drejtpërdrejt buxhetet familjare.
“Çmimi i naftës arriti në 224 lekë, një çmim ndër më të lartit në botë. Nuk ka dyshim se lëvizja e çmimit të naftës diktohet nga kriza energjetike e krijuar për shkak të luftës në Lindjen e Mesme dhe goditjes së vendeve të Gjirit nga Irani. Por një rritje të tillë çmimi nuk e ka asnjë vend tjetër në botë.
“Shqiptarët duhet ta dinë se qeveria shqiptare ka vendosur taksën më të lartë në botë mbi naftën. Asnjë vend tjetër nuk takson kaq rëndë naftën në shkallën 60 përqind të çmimit të saj. Shqipëria është rekord në Europë dhe në botë në taksimin e naftës, çka detyron kompanitë të mbajnë çmime stratosferike”, tha Berisha.
Sipas tij, barra është edhe më e rëndë në raport me të ardhurat e qytetarëve.
“Shqiptarët paguajnë për naftën 6-8 herë më shumë se qytetarët e vendeve të tjera në raport me të ardhurat e tyre”, u shpreh ai.
Berisha propozoi si zgjidhje përgjysmimin e menjëhershëm të taksës, nga 1.1 euro për litër në rreth 0.55 euro, duke argumentuar se kjo do ta afronte Shqipërinë me nivelet e vendeve të Bashkimit Evropian.
“Përgjysmim i taksave të naftës. Në qoftë se Shqipëria merr 1.1 euro për litër të naftës, qeveria këto taksa duhet t’i ulë në një shumë të përbashkët 0.55 euro për litër naftë. Dhe me këtë nuk bën gjë tjetër veçse barazon taksën me shumicën e vendeve anëtare të BE”, tha Berisha.
Ai theksoi gjithashtu se rritja e çmimit të naftës ndikon në të gjithë ekonominë, përfshirë çmimet e ushqimeve dhe produkteve bazë.
“Nafta ndikon direkt tek çmimi i bukës, ushqimeve dhe prodhimeve bujqësore, duke goditur më shumë shtresat që kanë më pak”, deklaroi Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha u bëri thirrje qytetarëve për reagim.
“Ftoj qytetarët shqiptarë të bashkohen në revoltën e PD kundër këtij regjimi, sepse sa më gjatë të zgjasin këto politika, aq më të mëdha do të jenë vështirësitë ekonomike për ta” tha ai.



