
Alarmet e rrejshme për bomba në shkollat e Tetovës ende janë aktuale dhe nxënësit thuajse për çdo ditë humbin mësimin. Gjatë ditës së sotme është reaportuar për bombë në shkollën fillore “Liria”, ndërsa mësimi nuk ka vijuar.
Omer Dauti në një postim në Facebook kërkon që prindërit të zgjohen dhe të reagojnë, para se të jetë vonë për fëmijët e tyre. Ai shkruan se “kjo nuk është më shaka, por alarm për shoqërinë”.
“Këndej nuk ka as mësim, as edukim. Kujt i konvenon kjo? Të gjithë e dimë. Prindër, nuk është më koha për heshtje. Nuk është më koha për të parë e për të kaluar tutje. Duhet të jemi në këmbë. Duhet të jemi në rrugë. Për fëmijët tanë. Nëse nuk reagojmë sot për ta bërë më të mirën për ta… çfarë po presim? Të na vijë telefonata nga spitali? Apo lajmi se kanë përfunduar keq?”, ka shkruar Dauti.
Ndryshe, përveç në shkollat e mesme dhe fillore, më herët alarme të rrejshme për bomba ka pasur edhe në Universitetin e Tetovës. Në lidhje me këtë çështje policia ka ndaluar persona të dyshuar si përgjegjës për alarmet e rrejshme, por edhe sot, këto alarme nuk janë ndalur.



