
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pas zhvillimeve në seancën e sotme parlamentare, duke akuzuar për degradim të rëndë të standardit të komunikimit në Kuvend dhe duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Kryetarit të Kuvendit.
Sipas reagimit të BDI-së, deputeti i kësaj partie, Blerim Bexheti, është përballur me gjuhë fyese dhe insinuata të papranueshme gjatë debatit në sallën plenare. Nga kjo parti vlerësojnë se një sjellje e tillë përbën një nga nivelet më të ulëta të diskursit politik të parë deri më tani në institucionin më të lartë përfaqësues në vend.
“Në momentin kur një deputete i drejtohet një kolegu me gjuhë të rrugës, ajo nuk përfaqëson qytetarët, por dëmton vetë institucionin”, thuhet në reagim, duke shtuar se ky nivel komunikimi nuk përfaqëson as standardin e grave në politikë dhe as vlerat që ato kanë ndërtuar ndër vite.
BDI thekson se edhe më shqetësues është fakti që incidenti ka ndodhur pa asnjë ndërhyrje nga ana e kryesuesit të seancës. Sipas tyre, Kryetari i Kuvendit ka pasur detyrimin institucional që të ndalojë menjëherë gjuhën fyese dhe të mbrojë dinjitetin e institucionit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Duke lejuar që seanca të degradojë në këtë nivel, Kryetari i Kuvendit ka turpëruar institucionin dhe ka dështuar në përmbushjen e detyrës së tij themelore”, vlerëson BDI, duke e cilësuar situatën si “dështim institucional”.
Në këtë kontekst, partia opozitare kërkon dorëheqjen e menjëhershme të Kryetarit të Kuvendit, duke paralajmëruar se tolerimi i një standardi të tillë sot, rrezikon të shndërrohet në normë në të ardhmen.
“Ky nuk është moment për relativizim. BDI nuk do ta pranojë këtë”, përfundon reagimi.



