
Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Blerim Bexheti, ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas tij, trajtohet gjuha shqipe në institucionet shtetërore, duke drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe funksionimit të këtij institucioni.
Në një reagim publik, Bexheti theksoi se në Gjykatën Kushtetuese po funksionon një praktikë e majorizimit etnik, ku sipas tij, gjykatësit shqiptarë mbivotohen dhe gjuha shqipe nuk trajtohet si gjuhë zyrtare, ndonëse kjo është e garantuar me Kushtetutë. Ai kritikoi faktin që, sipas tij, kryetari i këtij institucioni nuk e përmend gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, megjithëse detyra e tij është të mbrojë rendin kushtetues. Bexheti theksoi gjithashtu se, sipas informacioneve që ai ka, nuk lejohet përdorimi i gjuhës shqipe as në procedura të caktuara administrative, si në rastet e shqiptimit të dënimeve për shkelje të rregullave në komunikacion.
Sipas deputetit të BDI-së, kjo situatë nuk mund të konsiderohet më thjesht çështje interpretimi juridik, por përfaqëson, siç u shpreh ai, një qasje që e trajton barazinë si problem dhe jo si parim kushtetues.
Bexheti ngriti gjithashtu pyetjen se cili do të jetë qëndrimi i Gjykatës Kushtetuese kur në shqyrtim të vijë ligji që definon përdorimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, duke paralajmëruar se nëse edhe në çështje elementare gjuha shqipe trajtohet si e tepërt, atëherë problemi nuk është më vetëm juridik, por edhe politik. Ai shtoi se disa persona mund të mbajnë funksionin e gjyqtarit, por sipas tij nuk arrijnë të shkëputen nga qasje nacionaliste, ndërsa kritikoi edhe, siç u shpreh, heshtjen e disa aktorëve politikë për këtë çështje.
Reagimi i Bexhetit vjen në një kohë kur debati për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve dhe për rolin e institucioneve në garantimin e të drejtave gjuhësore vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme në skenën politike në vend.



