
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka mirëpritur vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Parlamentit.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se LDK është e gatshme të marrë pjesë në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve, duke vlerësuar përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar, sipas tij, nga Presidentja Osmani në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve.
“LDK vlerëson përgjegjësinë dhe qartësinë kushtetuese të treguar në këtë vendim nga ajo, në mbrojtje të rendit kushtetues dhe funksionimit normal të institucioneve të Republikës.
Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla.
“Në këtë frymë, jemi të gatshëm të marrim pjesë në konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe t’i drejtohemi qytetarëve për zgjidhjen e re demokratike. Zgjedhjet nuk ishin asnjëherë alternativa e preferuar e LDK-së. Përkundrazi, ato ishin krejt të panevojshme dhe lehtësisht të shmangshme. Fatkeqësisht, apetitet për kapje njëpartiake të të gjitha pozitave shtetërore parandaluan çdo kompromis eventual. Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në demokraci, fjala e fundit gjithmonë i takon sovranit”, shkroi i pari i LDK-së.



