LajmeOpinion

Dy duar, një Trup, Pesë Gishta dhe Një Turp

Shkruan: Faton Aliu

Në sheshin e kohës që nuk ka orë, qëndron një trup pa fytyrë, por me dy duar tepër të dallueshme. Trupi nuk flet kurrë; flasin duart. Dhe kur flasin duart, gishtat rrëfejnë më shumë se gojët e mbyllura me lutje apo me betime.

Dora e parë është një teatër me perde kadifeje. Është e butë, e rrumbullakosur, me lëkurë të lëmuar nga vajrat e bollëkut. Barku që ajo fërkon është i plotë, i ngopur deri në mendime, dhe çdo fërkim është si një lutje e heshtur për më shumë. Gishti tregues i kësaj dore nuk tregon kurrë qiellin; ai rrotullon rruazat e tespihut si rrotë mulliri që bluan ndërgjegjen. Çdo rruazë është një justifikim, çdo hap një pazar, çdo “amin” është një faturë e padukshme. Çdo rruazë është një mëkat i larë me ujë të bekuar nga vetë goja e tij, me lutjen sipërkrenare, “ma shto fitimin”. Rruazat kërcasin si numëratore tregtari: një për predikimin, dy për donacionin, tre për tokën e uzurpuar, katër për shantazhin e heshtur, pesë për buzëqeshjen para kamerave. Ai e ka bërë tespihun jo mjet për përulësi, por ashensor për ngritje personale. Rruazat i rrëshqasin nëpër gishta me shkathtësi bankieri; lutja i rrëshqet nëpër buzë me shkathtësi aktori. Në xhep mban çelësat e kasafortës, në dorë mban rruazat e shpëtimit. Predikon për ferrin me zë të lartë, ndërsa vetë ndërton parajsën me tulla të grabitura. Barkun e fërkon si të ishte globi i tokës që e zotëron; ndërsa ndërgjegjen e mban në agjërim të përjetshëm.

Kjo dorë lutet ditën, por numëron natën. Predikon për përulësi, por shtrihet në sofrën e teprisë. Në hijen e xhamisë, ajo bën marrëveshje me errësirën; në dritë, shitet si kandil. Dhe kur dikush pyet pse era e huaj i ftoh lutjet, gishti tregues rrotullohet më shpejt, që zhurma e rruazave ta mbysë pyetjen. Në vijë sekrete, kjo dorë gjithnjë e gjen rrugën drejt armikut, si busull e prishur që tregon veriun e gabuar. Ai e ka kthyer fenë në kostum skenik: sa herë ndryshon era, ai ndërron interpretimin. Sot është i përulur, nesër i përndjekur, pasnesër shpëtimtar. Rruazat janë dekor, lutja është mikrofon, dhe turma është publiku që duartroket pa e ditur se biletën e ka paguar me dinjitet të një politikan me kapelën qesharake.

Dora e dytë është e ashpër, e çarë nga dimrat, e djegur nga verat. Ajo është yll i rënë në tokë për t’u bërë zjarr. Është grusht-stuhi, shuplakë-dritë, pëllëmbë e skalitur me hartën e lirisë. Gishti tregues i saj nuk rrotullon asgjë; ai pret ajrin si shpatë e drejtë, si rrufe që e ndan natën më dysh. Kur ai shtyp këmbëzën, nuk shtyp vetëm metalin – zgjon epokat, tund male, çliron frymëmarrje të mbyllura në shekuj. Kjo dorë është lis i lashtë që s’e rrëzon as dimri, as tradhtia. Është shqiponjë me kthetra të arta që mban qiellin pezull. Është themel i padukshëm që mban qytetin mbi shpinë. Në vijat e saj nuk lexon pasuri, por sakrificë; jo komoditet, por betim. Çdo rrudhë është një betejë e fituar, çdo kallo një medalje e pashpallur. Është dorë monumenti, e ngritur në heshtje, e ulur në varfëri. Në shpinën e saj rriten jetimë, jo mite; uri, jo medalje. Bukën e ndan në copa, kujtimin e ndan në dhimbje.

Pesë gishtat e secilës dorë janë pesë rrëfime. Te e para, gishti i madh peshon arin, gishti i mesit shenjtëron pazarin, i vogli mbyll sytë. Te e dyta, gishti i madh mban peshën e familjes, i mesit drejtësinë, i vogli shpresën. Njëra dorë flet për paqe duke shitur luftë; tjetra lufton që të mos ketë më luftë.

Koha, kjo plakë e pabesë, sot i buzëqesh rruazave. I do më shumë ata që dinë të rrotullojnë fjalët se ata që mbajnë barrën e veprave. Hiliqarët bëjnë kor: injorojnë të mirat e luftëtarit, i quajnë “rregullime të padrejtësive historike”, si të ishin gabime drejtshkrimore që fshihen me gomë. E ndërkohë, rruazat këndojnë, barku fërkohet, dhe busulla e prishur gjen sërish veriun e rremë. Por duart nuk gënjejnë përgjithmonë. Një ditë, rruazat do të këputen e do të bien si monedha pa vlerë. Dhe gishti që shtrëngohet, ai që s’tregon, por mban, do të mbetet në gur, si shenjë e heshtur se liria nuk u rrotullua kurrë; u mbrojt.Sepse midis dy duarve që i përkasin një trupi pa fytyrë, historia zgjedh gjithnjë atë që nuk fërkon barkun, por mbulon plagën. Dhe gishtat, në fund, tregojnë vetëm të vërtetën që kanë jetuar.

Historia, sado të verbohet nga zhurma e rruazave, në gurin e saj të ftohtë gdhend vetëm këtë dorë << dorën-rrufe, dorën-lis, dorën-shqiponjë >> që nga plumbi bëri agim dhe nga sakrifica bëri përjetësi.

 

 

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close