
Ambasada e Kosovës në Abu Dhabi ka njoftuar se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasadën në Riad, për të shqyrtuar mundësinë më të shpejtë dhe më të sigurt në rastin e evakuimit të kosovarëve.
Siç thuhet në njoftim të kësaj ambasade, mundësia e evakuimit të kosovarëve po shqyrtohet në rast të bllokadës së vazhdueshme të hapësirës ajrore në Emiratet e Bashkuara Arabe
Njëherësh, ajo iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të cilët ndodhen në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe që deri më tani nuk janë paraqitur, ta bëjnë një gjë të tillë pranë përfaqësisë diplomatike.
Më poshtë njoftimi i plotë:
NJOFTIM I RADHËS Nr. 5
Lidhur me evakuimin e mundshëm në rast të bllokadës së vazhdueshme të hapësirës ajrore në Emiratet e Bashkuara Arabe
Ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës – vizitorë të bllokuar dhe rezidentë – se është në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet e vendit pritës, me institucionet shtetërore në Kosovë, si dhe me Ambasadën tonë në Riad, për të shqyrtuar mundësinë më të shpejtë dhe më të sigurt në rastin e evakuimit të qytetarëve tanë.
Prandaj, të gjithë qytetarët të cilët ndodhen në territorin e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe që deri më tani nuk janë paraqitur, lutemi të bëjnë hapin e parë duke u lajmëruar në Ambasadën tonë përmes:
Email: [email protected]
Tel/ËhatsApp: +971 54 709 2109
Gjatë lajmërimit, ju lutem të dërgoni të dhënat personale sipas dokumentit tuaj të udhëtimit, dhe qytetin ku ndodheni-në hotel apo vendbanim të përkohshëm.
Kjo është e domosdoshme në mënyrë që kërkesat tuaja në rastin e evakuimit të mund të procedohen për pajisje me leje kalimi urgjente në kufirin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, procedurë e cila realizohet nga Ambasada jonë në Abu Dhabi për të gjithë qytetarët tanë që gjenden në Emirate, në koordinim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Riad-Arabi Saudite.
Në momentin e domodoshmërisë të evakuimit dhe krijimit të mundësisë për evakuim të organizuar emergjent, në koordinim me autoritetet e Emirateve të Bashkuara Arabe, institucionet tona shtetërore dhe autoritetet e Arabisë Saudite për sigurimin e fluturimeve nga aeroportet si Jeddah ose Riyadh, Ambasada do t’ju njoftojë menjëherë.



