BotaLajmeTopLajm

LIVE/ Dita e dytë e sulmit amerikano-izraelit ndaj Iranit, Teherani konfirmon vrasjen e Khamenei dhe kryen sulme hakmarrëse drejt Emirateve. Rusia reagon ashpër, BE thërret mbledhje urgjente

Konflikti mes Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit kundër Iranit ka hyrë në ditën e dytë, duke shënuar një përshkallëzim dramatik të situatës në rajon. Pas konfirmimit të vdekjes së liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, Teherani ka paralajmëruar hakmarrje të ashpër.

Garda Revolucionare deklaroi se do të ndërmarrë “operacionin më të egër ofensiv në historinë e vendit”, ndërsa njoftoi nisjen e sulmeve me raketa dhe dronë në shkallë të gjerë ndaj 27 bazave ushtarake amerikane dhe objektivave izraelite në rajon.

Nga ana tjetër, Forcat Mbrojtëse të Izraelit konfirmuan një valë të re bombardimesh ndaj objektivave në Teheran. Forcat Ajrore Izraelite po kryejnë një operacion ajror në shkallë të gjerë kundër “objektivave të regjimit iranian në zemër të kryeqytetit”.

Televizioni shtetëror iranian raportoi për vrasjen e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura, Abdolrahim Musavi, si dhe të Ministrit të Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh. Mes viktimave të konfirmuara janë edhe Komandanti i Gardës Revolucionare, Mohammad Pakpur, dhe Sekretari i Këshillit të Mbrojtjes, Ali Shamkhani.

Po ashtu, agjencia “Fars” njoftoi se gjatë sulmeve u vra edhe shefi i inteligjencës së policisë iraniane, Gholamreza Rezaian. Irani ka shpallur ndalimin e hyrjes së anijeve amerikane në Gjirin Persik dhe pezullimin e tregtisë përmes Ngushticës së Hormuzit.

Në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministria e Mbrojtjes raportoi se Irani lëshoi 137 raketa dhe 209 dronë. Tensionet u reflektuan edhe në Pakistan. Në qytetin portual të Karaçi, qindra protestues pro-iranianë u përpoqën të sulmonin konsullatën amerikane. Të paktën tetë persona humbën jetën dhe disa të tjerë u plagosën gjatë përplasjeve me policinë, e cila përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

Kundër sulmeve kanë reaguar disa vende europiane, ndërsa e ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme Kaja Kallas ka thirrur për të dielën  mbledhjen e jashtëzakonshme online të ministrave të jashtëm të BE-së. “Sulmet e regjimit iranian pa dallim ndaj fqinjëve bartin rrezikun e përfshirjes së rajonit në një luftë të zgjeruar”, shkruan Kallas në platformën X. Është vendimtare, që lufta të mos përhapet më tej, nënvizon ajo.

12:40 Kaosi në Lindjen e Mesme, frikë për D’Ambrosion dhe familjen e tij: U hodhën 3 raketa mbi kokat tona, të terrorizuar por jemi mirë…

Ditën e shtunë SHBA dhe Izraeli nisën një operacion të përbashkët kundër Iranit. Teherani reagoi duke goditur me raketa bazat amerikane në Katar, Bahrein, Kuvajt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. mes qyteteve që u vunë në shënjestrën e sulmeve iraniane figuron edhe Dubai ku kishte shkuar Danilo D’Ambrosio dhe familja e tij për pushime, por që tani kanë mbetur të bllokuar.

12:33 Vrasja e udhëheqësit suprem Khamenei, Putin reagon për herë të parë: Vrasje cinike, shkel të gjitha normat e moralit njerëzor

Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka quajtur vrasjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, një “vrasje cinike” që shkel “të gjitha normat e moralit njerëzor dhe ligjin ndërkombëtar”, raporton agjencia shtetërore ruse TASS.

12:19 Vrasja e komandanit Pakpour, Irani emëron kreun e ri të Gardës Revolucionare Islamike

Ahmad Vahidi është emëruar komandant i ri i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, pas vrasjes së komandantit të mëparshëm, Gjeneral Mohammad Pakpour, gjatë sulmeve të koordinuara amerikano-izraelite të së shtunës.

12:11 Një i vrarë dhe 11 të plagosur në aeroportet e Dubait dhe Abu Dabit pas sulmeve iraniane

Një person ka humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur në aeroportet e Dubait dhe Abu Dabit, pas sulmeve të Iranit në Lindjen e Mesme, si hakmarrje ndaj një ofensive të SHBA-së dhe Izraelit që nisi të shtunën mëngjes.

12:02 Pas eliminimit të Khameneit, vriten vajza, dhëndri dhe mbesa e liderit suprem

Mediat shtetërore iraniane raportuan se vajza, dhëndri dhe mbesa e Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, janë vrarë gjatë sulmeve të kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.

11:58 Ekskluzive/ 1500 shqiptarë në Dubai, reagon për TCH ambasadori Kurtezi në Emiratet e Bashkuara: S’ka vend për panik

Ambasadori shqiptar në Emiratet e Bashkuara, Ridi Kurtezi, thotë se në Dubai, por edhe në qytete të tjera ndodhen rreth 1500 shqiptarë. Në një interviste ekskluzive me gazetarin e Top Channel Muhamed Veliu, ai thotë se ka pasur koordinim të vazhdueshëm me ministrinë e jashtme dhe për momentin nuk është nevoja për evakuim emergjent.

11:41 Irani shpall 40 ditë zie pas vrasjes së Khameneit, mbështetësit e liderit qajnë me dënesë

Irani do të mbajë 40-ditë zi për vrasjes së Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei, gjatë sulmeve të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, sipas mediave shtetërore iraniane.

11:15 Video/ Protestues pro Iranit sulmojnë konsullatën amerikane në Karaçi, 6 të vrarë dhe 20 të plagosur

Gjashtë protestues janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur pas sulmit ndaj konsullatës amerikane në qytetin port të Karaçit, Pakistan.

10:22 Irani në kundërsulm, presidenti Trump paralajmëron: Do t’i godasim me një forcë që nuk është parë kurrë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin të mos ndërmarrë hakmarrje ndaj SHBA-ve ose Izraelit, duke kërcënuar me një goditje “që nuk është parë kurrë më parë”.

10:02 Merz, Macron dhe Starmer dënojnë sulmet e Iranit në rajon/ E ngarkuara e BE-së për Politikën e Jashtme thërret mbledhje të jashtëzakonshme

Mbledhje krize e ministrave të Jashtëm të BE-së për zhvillimet lidhur me Iranin: Vendet europiane reagojnë ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit si dhe kundërsulmeve të Teheranit në rajon.

09:23 Kush do e zëvendësojë udhëheqësin suprem të Iranit? Presidenti Trump: Ka disa kandidatë të mirë

Pas vrasjes së udhëheqësit suprem Ali Khamenei në një operacion të përbashkët SHBA-Izrael, presidenti Donald Trump deklaroi se ekzistojnë disa “kandidatë të mirë” për të marrë drejtimin e Iranit.

09:06 Video/ Spikeri i televizionit iranian shpërthen në lot teksa njofton vdekjen e Khameneit

Një spiker në televizionin shtetëror iranian shpërtheu në lot ndërsa lexonte deklaratën për vdekjen e Udhëheqësit Suprem, Ajatollahut Ali Khamenei.

08:41 Rama reagon për sulmet e Iranit drejt Emirateve të Bashkuara Arabe: Synimi i një oaze paqeje si Dubai me raketa urrejtjeje dhe shkatërrimi…

Kryeministri Edi Rama dënoi sulmet e Iranit kundër Emirateve të Bashkuara Arabe duke i quajtur ato si një sulm ndaj stabilitetit, prosperitetit dhe vetë idesë se Lindja e Mesme mund të përcaktohet nga paqja dhe bashkëpunimi, e jo nga lufta dhe kaosi.

08:37 Irani konfirmon vrasjen e ministrit të Mbrojtjes dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm

Irani ka konfirmuar se ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura u vranë gjatë sulmeve të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ndaj Irani të shtunën, sipas mediave shtetërore iraniane.

08:27 Departamenti Amerikan i Shtetit paralajmëron qytetarët: Shmangni udhëtimet drejt Bahreinit

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përforcuar paralajmërimin për udhëtimet drejt Bahrain dhe ka lejuar largimin e personelit jo-emergjent të qeverisë së Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të familjarëve të tyre, nga vendi, “për shkak të rreziqeve të sigurisë”.

08:15 Sulmet e nisura nga Irani, 8 persona mbetën të plagosur në Katar

Ministria e Brendshme e Katarit tha se tetë persona u plagosën këtë mëngjes në sulmet iraniane ndaj vendit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të plagosurve në 16 që nga fillimi i sulmeve një ditë më parë.

03:37 Irani e pranon: Ali Khamenei u vra në zyrën e tij ku po kryente detyrat shtetërore

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, u vra në kompleksin e tij në kryeqytetin Teheran, raportuan mediat shtetërore iraniane. Khamenei u vra “në zyrën e tij në rezidencën e udhëheqësit” ndërsa “po kryente detyrat e tij” në momentin e sulmit herët të shtunën, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve Fars News Agency.

Related Articles

Back to top button
Close
Close