
Ish kryetari i kuvendit të Aleancës për Shqiptarët, Nazim Taipi përmes një postimi gjatë ditës së sotme ka akuzuar VLEN-in se po ndërton politika pa vizion duke shtuar se e ardhmja nuk do ti falë. Taipi më tej në postimin e tij shkruan se ” Politika nuk është lodër” dhe se prej dy vitesh VLEN me disa nga eksponentët e tij po e redukton politikën në një lojë interesash personale. Kur dëgjojmë pothuajse çdo ditë për përplasje të brendshme dhe deklarata të tipit “nëse nuk e marr at postin, largohem dhe krijoj fraksionin tim”, kemi të bëjmë me fragmentim egoist dhe jo me kulturë institucionale, shkruan Top24
Politika nuk është lodër.
Prej dy vitesh VLEN me disa nga eksponentët e tij po e redukton politikën në një lojë interesash personale. Kur dëgjojmë pothuajse çdo ditë për përplasje të brendshme dhe deklarata të tipit “nëse nuk e marr at postin, largohem dhe krijoj fraksionin tim”, kemi të bëjmë me fragmentim egoist dhe jo me kulturë institucionale.
Në këtë situatë përgjegjësia nuk është vetëm individuale, por kolektive. Përfaqësimi politik shqiptar dështon në misionin e tij themelor: ndërtimin e politikave serioze, të qëndrueshme dhe në shërbim të qytetarëve.
E ardhmja nuk do t’i falë ata që ndërtojnë mbi inate dhe jo mbi vizion.
VLEN premtoi ndryshim. Por ndryshimi nuk fillon nga mohimi i gjithçkaje dhe as nga hiçi. Ai fillon nga vlerësimi kritik i asaj që ka funksionuar dhe nga korrigjimi i asaj që ka dështuar.
Ndryshimi fillon nga vetëdija jonë kolektive, nga kapërcimi i kompleksit të inferioritetit dhe nga vendosmëria për ta trajtuar politikën si profesion dhe mision publik dhe jo si lodër fëmijësh.
Një gjë tashmë është e qartë: premtimi për ndryshim ka dështuar.


