
Në fshatin Algjinaj të Njësisë Administrative Shezë, në Bashkinë e Peqinit janë regjistruar rrëshqitje masive dherash sot në 22 shkurt.
Çarjet e tokës kanë rrezikuar tre banesa dhe kanë shkaktuar dëmtime në infrastrukturën përreth, duke u bërë një kërcënim i menjëhershëm për sigurinë e familjeve që jetojnë në zonë.
Edhe rruga që lidh fshatin me zonat përreth është bllokuar nga rënia e gurëve. Rruga në fjalë është një aks thelbësor për banorët e Algjinajt, të cilët e përdorin çdo ditë për të arritur në qytet, ndaj bllokimi i saj ka shkaktuar vështirësi në lëvizje, raporton gazetari i Klan News, Fatos Salliu.
Përveç dëmtimit të rrugës, edhe zona përreth disa shtëpive ka shfaqur çarje dhe fundosje të tokës. Banorët shprehen se situata mund të përkeqësohet çdo moment dhe kërkojnë që institucionet të veprojnë menjëherë, për të vlerësuar shkallën e rrezikut dhe për të marrë masat e duhura për përmirësimin e situatës. Ndërhyrja konsiderohet e domosdoshme për të parandaluar përhapjen e dëmtimit, si dhe për të shmangur izolimin e mëtejshëm të zones.
Banorët kërkojnë që autoritetet të dërgojnë ekipe ekspertësh për të inspektuar terrenin dhe për të marrë masa emergjente.



