
Edhe më tej nuk dihet fati i ligjit për përdorimin e gjuhëve pasi Gjykata Kushtetuese ende nuk ka vendim definitiv se çfarë do të ndryshojë. I pari i Kushtetueses Darko Kostadinovski shprehet se për të nuk ka lëndë më pak apo më shumë senzitive dhe se vendimet e Kushtetueses nuk duhet të shihen si kërcënime apo perceptime se janë kundër dikujt. Kushtetuesja siç thotë Kostadinovski, thjeshtë ndihmon Kuvendin dhe Qeverinë që të mos dalin jashtë normave kushtetuese.
“Ne kemi konkluzion se duhet të mbahet seancë përgatitore dhe kjo nuk ka ndryshuar. Asnjë nga gjykatësit nuk ka kërkuar që kjo të ndryshojë. Tek ne vendim marrin pesë vota. Ndoshta ndonjë gjykatës mund të thotë se nuk ka nevojë për seancë përgatitore dhe propozimi të shkojë në votim. Ende në fuqi është konkluzioni se duhet të ketë dhe është mirë të mbahet nëse unë pyetem sepse ishte propozimi im”, deklaroi Darko Kostadinovski – Kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Kostadinovski deri tani dy herë ka shtyrë vendimin për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Një herë për shkak tragjedisë në Koçan dhe një herë për shkak të vendimit të Gjykatës Administrative me të cilin u shfuqizua vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e gjyqtares kushtetuese. Kështu, heqja e një gjykatësi nga paneli i 9 gjyqtarëve kushtetues pamundësonte që Kushtetuesja të vendos për këtë lëndë, pasi paraprakisht ka miratuar konkluzion që për lëndën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve të vendoset me përbërje të plotë të gjyqtarëve.
Nesër në seancë të rregullt pritet të zgjidhet anëtari i ri i Gjykatës Kushtetuese, Goce Naumovski, emri i të cilit u kundërshtua ashpër nga opozitarja LSDM të cilët thonë se i njëjti është këshilltar i jashtëm i kryeministrit Hristijan Mickoski. Gjithashtu nga Këshilli Gjyqësor për momentin është i hapur konkursi edhe për një anëtar në Kushtetuese e në të cilin siç mëson Alsat, deri tani nuk është paraqitur askush. /Alsat.mk



