
Në Teatrin e Gostivarit, një praktikë që rikujton stilin e sistemit të kaluar, janë shkarkuar pa bazë ligjore dhe pa arsye profesionale anëtarët shqiptarë të bordit, ndërsa në vend të tyre janë emëruar tre maqedonas dhe një turk, thuhet në një denoncim për Top24
Sipas burimeve, situata bëhet edhe më shqetësuese për faktin se dy nga anëtarët e jashtëm të sapoemëruar janë persona të panjohur për publikun dhe nuk janë të fushës së kulturës, ndonëse ligji e përcakton qartë se këto pozita duhet të mbulohen nga individë të mirënjohur nga sfera e kulturës.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se ky Bord i ri është emëruar me qëllim të prishjes së një konkursi përmes të cilit janë pranuar katër aktorë shqiptarë.
Në një qytet me shumicë shqiptare dhe në një teatër ku pjesa më e madhe e shfaqjeve realizohen në gjuhën shqipe, aktualisht në përbërjen e bordit nuk ka asnjë anëtar shqiptar.
Kundër këtij vendimi, sipas informacioneve, kanë reaguar të gjithë aktorët shqiptarë dhe shumica e të punësuarve në Teatrin e Gostivarit. Ata kanë dorëzuar ankesë me shkrim pranë institucionit, si dhe pranë Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të RMV-së.



