BotaLajme

Kina ekzekuton 11 anëtarë të familjes Ming, të akuzuar për mashtrime dhe vrasje në Myanmar

Kina ka ekzekutuar 11 anëtarë të bandës famëkeqe kriminale të familjes Ming, e akuzuar për drejtimin e qendrave të mashtrimit të ngjashme me mafian në Myanmar dhe për vrasjen e punëtorëve që përpiqeshin të arratiseshin. Lajmi u raportua nga media shtetërore kineze.

Personat e ekzekutuar ishin dënuar me vdekje në shtator, pasi u shpallën fajtorë për një sërë krimesh të rënda, përfshirë vrasje, ndalim të paligjshëm dhe mashtrim. Dy nga të dënuarit kishin apeluar vendimin, por Gjykata Supreme Popullore e Kinës e la dënimin me vdekje në fuqi.

Familja Ming ishte një nga të ashtuquajturat “katër familje” të Mianmarit verior, sindikata kriminale të akuzuara për drejtimin e qindra rrjeteve të përfshira në mashtrime online, prostitucion dhe prodhim droge. Anëtarë të këtyre grupeve mbanin pozicione me ndikim në qeverinë lokale dhe në milicitë e lidhura me juntën ushtarake në pushtet në Myanmar.

Grupi kriminal, i udhëhequr nga Ming Xuechang, ishte prej kohësh i lidhur me kompleksin famëkeq “Crouching Tiger Villa” në Kokang, një rajon autonom në kufirin mes Mianmarit dhe Kinës. Në kulmin e veprimtarisë së tij, grupi kishte rreth 10 mijë persona që punonin për të kryer mashtrime dhe krime të tjera.

Kryeqyteti i rajonit Kokang, Laukkaing, ishte epiqendra e një industrie mashtrimi shumë-miliardë dollarëshe, e zhvilluar në zona të paligjshme të Mianmarit. Në këto qendra, punëtorë të trafikuar detyroheshin të mashtronin viktima të huaja përmes skemave të sofistikuara online.

Pas viteve të tëra ankesash nga familjarët e punëtorëve të trafikuar dhe rritjes së vëmendjes së medias ndërkombëtare, Kina ndërhyri me masa të ashpra në vitin 2023. Në nëntor të atij viti, autoritetet kineze lëshuan urdhër-arreste për anëtarët e familjes Ming, duke ofruar shpërblime nga 14 mijë deri në 70 mijë dollarë për kapjen e tyre.

Në tetor 2023, katër persona u vranë gjatë një incidenti të dhunshëm në një kompleks mashtrimi, kur anëtarë të grupit dyshohet se hapën zjarr ndaj njerëzve që po transferoheshin nën roje të armatosura. Ngjarja ndodhi pasi grupi ishte paralajmëruar për një bastisje të mundshme policore.

Related Articles

Back to top button
Close
Close