BotaKurioziteteLajme

Probleme shëndetësore në orbitë, si zbarkoi në Paqësor kapsula e SpaceX

Një kapsulë e SpaceX me ekuipazhin e misionit Crew-11 ka zbarkuar me sukses në det, pranë bregut të Kalifornisë.

Katër astronautët, Zena Cardman dhe Mike Fincke nga NASA, Kimiya Yui nga agjencia hapësinore japoneze dhe kozmonauti rus Oleg Platonov u kthyen më herët nga Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar për shkak të problemeve shëndetësore të njërit prej tyre.

Astronautët ishin nisur më 1 gusht 2025 nga Qendra Hapësinore Kennedy dhe pritej të riktheheshin muajin tjetër.

Për arsye privatësie nuk është bërë i ditur identiteti i astronautit të prekur, por NASA njofton se gjendja e tij është e qëndrueshme dhe problemi nuk lidhet me punën në stacion, me shëtitjet hapësinore apo me ndonjë traumë.

Kjo është hera e parë në 25 vjet që një mision përfundon më herët për arsye shëndetësore.

Pas zbarkimit në Paqësor pranë San Diego-s, astronautët u ndihmuan të dalin nga kapsula dhe u transportuan me helikopter në një qendër mjekësore, ku do të kryhen kontrolle të mëtejshme për astronautin e sëmurë, para se të rikthehen në Houston për përfundimin zyrtar të misionit.

NASA kishte njoftuar më 7 janar anulimin e shëtitjes hapësinore të Cardman dhe Fincke për shkak të problemit mjekësor, dhe një ditë më vonë vendosi për përfundimin e parakohshëm të misionit.

Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, sqaroi se nuk bëhet fjalë për një de-orbit të emergjencës, por për nevojën e trajtimit adekuat të astronautit, që nuk mund të kryhej në stacion.

Në stacion ka disa medikamente bazë, defibrilator, elektrokardiograf, ecograf dhe kit për trakeotomi, por nuk ka aparate për rëntgen ose rezonancë magnetike, të mëdhenj për t’u instaluar atje. Astronautët trajnohen për probleme mjekësore të lehta, por zakonisht nuk ka mjek në bord.

Historiku i evakuimeve

Më parë vetëm dy misione janë përfunduar për arsye shëndetësore, por jo në ISS: në 1985 kosmonauti Vladimir Vasyutin u kthye katër muaj më herët nga Salyut 7 për problem urologjik, dhe në 1987 Aleksandr Laveykin u largua nga Mir për aritmi kardiake.

Pas rikthimit të Crew-11, Stacioni ka vetëm tre astronautë: Chris Williams nga NASA dhe kosmonautët Kud-Sverchkov dhe Sergei Mikaev, derisa të arrijnë katër të tjerë në shkurt.

Ekuipazhi Crew-11 qëndroi disa ditë më shumë për të ndihmuar Williams të mësonte përdorimin e pajisjeve të reja.

Related Articles

Back to top button
Close
Close