
Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollahu Ali Khamenei, i quajti protestuesit antigovernitarë problematikë që përpiqen t’i bëjnë qejfin presidentit të Shteteve të Bashkuara. Irani gjithashtu i dërgoi një letër Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke akuzuar SHBA-të se po i shndërrojnë protestat në akte të dhunshme nënversive dhe vandalizëm të përhapur në Iran. Ndërkohë, Trump tha se Irani ndodhet në telashe të mëdha.
Protestat, tashmë në ditën e 13-të, shpërthyen për shkak të situatës ekonomike dhe u shndërruan në më të mëdhatë e viteve të fundit, duke sjellë thirrje për fundin e Republikës Islamike, ndërsa disa kërkuan edhe rikthimin e monarkisë. Sipas grupeve për të drejtat e njeriut, të paktën 48 protestues dhe 14 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë.
Garda Revolucionare e Iranit paralajmëroi sot se mbrojtja e sigurisë është një “vijë e kuqe”, ndërsa ushtria u zotua se do të mbrojë pronën publike, teksa regjimi klerikal ka intensifikuar përpjekjet për të qetësuar protestat më masive të viteve të fundit. Këto deklarata erdhën pasi presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një paralajmërim të ri ndaj udhëheqësve iranianë të premten, dhe pasi sekretari amerikan i Shtetit deklaroi të shtunën se Shtetet e Bashkuara e mbështesin popullin e Iranit.
Trazirat vazhduan gjatë natës. Mediat shtetërore njoftuan se një ndërtesë komunale ishte djegur në qytetin Karaj, në perëndim të Teheranit, duke fajësuar rebelët. Televizioni shtetëror transmetoi pamje nga varrimet e pjesëtarëve të forcave të sigurisë, të cilët, sipas tij, u vranë gjatë protestave në qytetet Shiraz, Qom dhe Hamedan.
Protestat janë përhapur në pjesën më të madhe të Iranit gjatë dy javëve të fundit. Ato filluan si reagim ndaj rritjes së inflacionit, por shpejt morën karakter politik, me protestues që kërkojnë fundin e sundimit klerikal. Autoritetet iraniane fajësojnë SHBA-të dhe Izraelin për nxitjen e trazirave. Grupet për të drejtat e njeriut kanë dokumentuar dhjetëra viktima mes protestuesve.
Një dëshmitar në Iranin perëndimor, i kontaktuar telefonikisht, tha se Garda Revolucionare ishte dislokuar dhe kishte hapur zjarr në zonë, duke kërkuar të mbetet anonim për arsye sigurie.
Në një deklaratë të publikuar nga televizioni shtetëror, Garda Revolucionare, një forcë elitare që ka shtypur edhe trazira të mëparshme, akuzoi terroristët se gjatë dy netëve të fundit kanë sulmuar baza ushtarake dhe policore, duke vrarë disa qytetarë dhe pjesëtarë të forcave të sigurisë, si dhe duke djegur prona.
Ushtria, e cila vepron ndaras nga Garda Revolucionare, por që gjithashtu komandohet nga udhëheqësi suprem Ali Khamenei, deklaroi se do të mbrojë interesat kombëtare, infrastrukturën strategjike të vendit dhe pronën publike.
Në një vend me histori kundërshtimesh të fragmentuara ndaj sundimit klerikal, djali i shahut të fundit të Iranit, i rrëzuar në Revolucionin Islamik të vitit 1979, është shfaqur si një zë i rëndësishëm në mërgim, duke inkurajuar protestat.
Në apelin e tij të fundit në rrjetet sociale, Reza Pahlavi, i cili jeton në SHBA, tha: “Qëllimi ynë nuk është më vetëm të dalim në rrugë; synimi është të përgatitemi për të marrë qendrat urbane dhe për t’i mbajtur ato.”
Ai u bëri thirrje gjithashtu punëtorëve dhe të punësuarve në sektorët kyç të ekonomisë, veçanërisht në transport, naftë, gaz dhe energji, që të fillojnë një grevë kombëtare.
Trump deklaroi të enjten se nuk është i prirur të takohet me Pahlavin, duke treguar se po pret të shohë zhvillimin e krizës përpara se të mbështesë një figurë të opozitës.
Trump, i cili e bombardoi Iranin verën e kaluar dhe paralajmëroi Teheranin javën e kaluar se SHBA-të mund t’i ndihmojnë protestuesit, lëshoi një tjetër paralajmërim të premten, duke thënë: “Më mirë të mos filloni të qëlloni, sepse edhe ne do të fillojmë të qëllojmë.”



